Vendosni fjalën kyçe....

Helmi për minj gjendet në një kavanoz “HiPP” të ushqimit për foshnje në Austri


Policia në Austria njoftoi të shtunën në mbrëmje se helmi për minj është gjetur brenda një kavanozi ushqimi për foshnje të markës HiPP, pas tërheqjes së produktit nga më shumë se 1,000 supermarkete SPAR në vend për arsye sigurie.

Policia në Burgenland tha në një deklaratë se një mostër nga një kavanoz 190-gramësh “Karrota dhe Patate” i raportuar nga një klient kishte rezultuar pozitiv për helm minjsh.

HiPP deklaroi se nuk mund të përjashtohej mundësia që një lëndë e rrezikshme të ishte futur në produkt dhe se kavanozët e tij “perime me karrotë dhe patate” mund të jenë manipuluar.

Sipas kompanisë, konsumimi i përmbajtjes së këtyre kavanozëve mund të jetë kërcënues për jetën.

Policia tha se kavanozët e prekur kishin një etiketë me rreth të kuq në fund, dhe kapakët ose ishin të hapur, të dëmtuar, ose pa vulë sigurie, si dhe në disa raste kishin erë të pazakontë.

Hetimet paraprake laboratorike mbi kavanoza të ngjashëm të sekuestruar në Çeki e Sllovaki kanë treguar gjithashtu praninë e një lënde toksike, megjithëse pa hollësi të mëtejshme.

Autoritetet austriake thanë se ishin paralajmëruar për rrezikun pas hetimeve në Gjermani.

HiPP e përshkroi ngjarjen si një “ndërhyrje kriminale të jashtme” që prek shpërndarjen përmes SPAR në Austri. Kompania nuk ishte menjëherë e disponueshme për koment të dielën.

SPAR tha se tërheqja ishte një masë parandaluese dhe përfshinte rreth 1,500 dyqane në Austri, pa ndikim në vende të tjera.

Të dy kompanitë këshilluan konsumatorët të mos përdorin kavanozët e blerë në SPAR Austri dhe ofruan rimbursim të plotë për produktet e kthyera.

Policia gjithashtu rekomandoi larjen e duarve nëse dikush ka pasur kontakt me këto produkte, shkruan Reuters.