Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Përveç mashtrimit, Edi Ramës nuk i ka mbetur asnjë mjet tjetër



Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar fjalën e tij të radhës si një “monolog mashtrimi” dhe propagande.

Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, Berisha u shpreh se Rama “rrahu gjoksin me udhëtimin që bëri, duke harruar se kudo që shkon, kudo që shkel, ka damkën e hajdutit dhe të kryeministrit më të korruptuar në Europë”.

Ai theksoi gjithashtu se mediat ndërkombëtare, sipas tij, kanë pasqyruar protestat e fundit në Shqipëri dhe kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit. “Mediat e Italisë, Spanjës, Austrisë, Gjermanisë dhe mbarë Europës dhe botës, përcollën me mbështetje të jashtëzakonshme denoncimin që qytetarët e Shqipërisë i bënë në protestën e fundit kryehajdutit Edi Rama dhe kërkesën mbarëpopullore për dorëheqjen e tij”, u shpreh ai.

Duke u ndalur te çështjet ekonomike, Berisha kritikoi deklaratat e Ramës për buxhetin dhe Prodhimin e Brendshëm Bruto, duke i cilësuar ato si dëshmi të mungesës së njohurive. “Në këtë monolog ai paraqiti shifra dhe të dhëna ekonomike të cilat provojnë absolutisht më së miri injorancën e tij të plotë në ekonomi apo tabula raza”, tha Berisha.

Ai solli edhe një shembull konkret, duke shtuar se krahasimet e bëra nga Rama, sipas tij, nxjerrin në pah barrën më të ulët fiskale të qeverisë së mëparshme. “A e harron se me këtë i bën një nder të jashtëzakonshëm qeverisë së mëparshme, e cila kishte një barrë fiskale sa gjysmën e kësaj që është sot”, u shpreh ai.

Në lidhje me pallatin e përfshirë nga zjarri në Tiranë, Berisha akuzoi Ramën se po mbron ndërtuesin, duke folur si avokat i tij. “Përsëri Edi Rama mori përsipër ekspertin, mori përsipër avokatin e ndërtuesit dhe deklaroi se zjarri nuk kishte lidhje me ndërtimin”, deklaroi ai.

Sipas Berishës, qëndrimet e kryeministrit janë kontradiktore. “Në qoftë se ndërtuesi nuk ka përgjegjësi për djegien e pallatit, si mund ta ngarkosh atë për ndërtimin e tij?”, shtoi ai.

Në përfundim, kreu i PD-së theksoi se situata politike në vend kërkon reagim qytetar. “E vërteta është se të gjitha këto dëshmojnë se përveç mashtrimit, Edi Ramës nuk i ka mbetur asnjë armë tjetër, asnjë mjet tjetër”, u shpreh Berisha, duke u bërë thirrje qytetarëve të vijojnë protestat për largimin e qeverisë.