
Në strukturat akomoduese gjatë shkurtit shumica e vizitorëve ishin italianë edhe pse peshën më të madhe të hyrjeve nga shtetasit e huaj në vend e mban Kosova me rreth 42 për qind.
Shifrat e publikuara nga Instituti i Statistikave zbulojnë se italianët zunë 30 për qind të vizitorëve në këto struktura kurse Kosova vetëm gjysmën e tyre pra 15 për qind.
Ndërkohë grupet e tjera ishin vizitorë nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, apo Franca.
“Në Shkurt 2026, numri i vizitorëve që u akomoduan në strukturat turistike në Shqipëri u rrit me 9,7%, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Vizitorët rezidentë u rritën me 10,6%, ndërsa vizitorët jo-rezidentë me 9,1%.
Net-qëndrimet gjithsej u rritën me 3,6% ku net-qëndrimet e vizitorëve rezidentë u rritën me 5,3% kurse net-qëndrimet e vizitorëve jo-rezidentë u rritën me 2,7%.
Shumica e vizitorëve të huaj që u akomoduan në Shqipëri vijnë nga: Italia (30%) Kosova (15%) Mbretëria e Bashkuar (7%). Vizitorë nga Gjermania dhe Franca përbëjnë përkatësisht 5% dhe 4% dhe nga vende të tjera (39 %). Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti 16,7%, nga 16,0% në Shkurt 2025”, thuhet në publikimin e INSTAT.
Hyrjet në vend
Të dhënat e vizitorëve sipas shteteve tregojnë se shqiptarët e Kosovës, që mbajnë edhe 41.4% të totalit, shënuan rritje në 2 muajt e parë të vitit me rreth 2.5% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë italianët vijojnë të jenë grupi me rritjen më të lartë në raport edhe më peshën që kanë në totalin e turizmit në vend. Konkretisht kjo rritje ishte 11.7% për 2-mujorin 2026. Italianët mbajnë në total 13.2% të totalit duke qenë grupi i dytë më i madh./Monitor