Pas 40 ditësh qëndrimi të përmbajtur, Kina ka thyer heshtjen duke kritikuar ashpër bllokadën detare të SHBA-së mbi eksportet iraniane të naftës, prej të cilave Pekini blen rreth 90%.
Presidenti kinez Xi Jinping, në komentet e tij të para publike mbi luftën, paralajmëroi kundër kthimit në “ligjin e xhunglës”, një referencë e drejtpërdrejtë ndaj qasjes unilaterale të Presidentit Donald Trump.
Në një njoftim zyrtar pas takimit me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Xi theksoi se ligji ndërkombëtar nuk mund të zbatohet në mënyrë selektive apo të injorohet kur nuk u intereson fuqive të mëdha, sipas Ynet.
“Ligji ndërkombëtar nuk mund të zbatohet me përzgjedhje apo të injorohet kur është i papërshtatshëm. Ne nuk mund të lejojmë një kthim te ligji i xhunglës ku i forti bën çfarë të dojë”, u shpreh ai.
Bllokada amerikane shihet gjerësisht si një tentativë për të detyruar Pekinin të përdorë levat e tij ekonomike mbi Teheranin për të arritur një zgjidhje të negociuar. Megjithëse Kina ka rezerva strategjike nafte për të paktën 100 ditë, pasojat e luftës po ndihen; çmimet e karburantit janë rritur dhe kostoja e transportit në Kinë është ngjitur me rreth 10%.
Nga ana e tij, Donald Trump po luan një lojë të dyfishtë. Ndërsa bllokon anijet që furnizojnë Kinën, ai po përgatitet për një vizitë historike në Pekin më 14-15 maj, ku synon të finalizojë një marrëveshje tregtare. Trump pohoi në rrjetet sociale se ka marrë një letër nga Xi ku premtohet se Kina nuk do t’i dërgojë armë Iranit.
“Xi më ka dërguar një letër të bukur ku zotohet se nuk do të furnizojë Iranin me armë. Kina do të përfitojë nga përpjekjet tona për të rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe unë pres një pritje të ngrohtë gjatë vizitës sime”, shkroi Trump.
Pavarësisht retorikës, Pekini po luan një rol aktiv në prapaskenë. Ministri i Jashtëm Wang Yi ka biseduar me homologun iranian Araghchi, duke i kërkuar garantimin e lirisë së lundrimit në Hormuz, një lëvizje që tregon se presioni i Uashingtonit mund të jetë duke dhënë efektet e para diplomatike. Kina ka interesa të mëdha në lojë, pasi sulmet iraniane rrezikojnë infrastrukturën e ndërtuar nga kinezët në Gjirin Persian, me vlera që kalojnë 6.5 miliardë dollarë.
