Vendosni fjalën kyçe....

Ligjvënësi belg: Janë përmbushur kushtet për pezullimin e Marrëveshjes BE-Izrael


Një ligjvënës belg, Yvan Verougstraete, ka bërë të ditur se janë përmbushur kushtet për pezullimin e Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael, duke përmendur shqetësimet për vendbanimet ilegale izraelite dhe praninë e produkteve të tyre në tregun evropian, transmeton Anadolu.

Verougstraete, anëtar i Parlamentit Evropian dhe president i partisë belge Les Engages, tha se shkeljet e lidhura me vendbanimet, të kombinuara me praktika të dyshimta tregtare, ofrojnë baza të mjaftueshme për të rishqyrtuar marrëveshjen.

Komentet e tij vijnë pas raportimeve se Izraeli ka autorizuar 34 vendbanime të reja në Bregun Perëndimor të pushtuar, të cilat ai i përshkroi si të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.

“Kushtet për pezullimin e Marrëveshjes BE-Izrael janë përmbushur”, tha Verougstraete.

Marrëveshja e Asociimit BE-Izrael, e cila hyri në fuqi në vitin 2000, përfshin një klauzolë për të drejtat e njeriut që përcakton se marrëdhëniet mes palëve bazohen në respektimin e të drejtave të njeriut dhe parimeve demokratike.

Ligjvënësi belg tha se qarkullimi i vazhdueshëm i produkteve që vijnë nga vendbanimet izraelite në tregjet e BE-së ngre shqetësime ligjore dhe etike.

Në këtë kontekst, fakti që produktet nga këto vendbanime hyjnë në tregun evropian është thjesht i papranueshëm. Kjo ngre shqetësime të mëdha ligjore, tregtare dhe etike”, tha ai, duke argumentuar se një tregti e tillë kontribuon ekonomikisht në zgjerimin e vendbanimeve.

Verougstraete i bëri thirrje BE-së të sigurojë përputhje mes qëndrimeve të saj ligjore dhe praktikave tregtare.

“BE-ja nuk duhet të kontribuojë, qoftë edhe në mënyrë indirekte, në ruajtjen dhe zhvillimin e situatave që janë të paligjshme në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, theksoi ai.

Verougstraete tha se e ka ngritur çështjen në Komisionin Evropian, së bashku me eurodeputetet Ana Miranda Paz dhe Cecilia Strada.

Ai i bëri thirrje Komisionit Evropian që të “marrë përgjegjësi” dhe të shqyrtojë aktivizimin e mekanizmave brenda marrëveshjes.

“Evropa nuk mund të dënojë paligjshmërinë e vendbanimeve nga njëra anë dhe të vazhdojë të pranojë produktet e tyre nga ana tjetër. Konsistenca nuk është opsionale, është një detyrim”, theksoi ai.

Dhuna nga forcat izraelite dhe kolonët në Bregun Perëndimor të pushtuar është intensifikuar që nga lufta në Gaza në tetor të vitit 2023, duke lënë të vrarë më shumë se 1.148 palestinezë, duke plagosur 11.750, si dhe duke çuar në 22 mijë arrestime.

Në një opinion historik në korrik të vitit 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin izraelit të territorit palestinez dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.