
Deputetja e PS Elisa Spiropali ka reaguar lidhur me çështjen që po përballen studentët shqiptarë në Maqedonia e Veriut, duke mbështetur thirrjen e tyre për protestë për të drejtat gjuhësore.
Spiropali u shpreh se të protestosh për gjuhën shqipe nuk është vetëm një alarm, por një sinjal që diçka thelbësore nuk po funksionon si duhet. Ajo thekson se respektimi i të drejtave dhe forcimi i barazisë nuk është vetëm detyrim, por edhe drejtim i përbashkët, sidomos mes dy vendeve mike që ndajnë të njëjtin horizont dhe aspiratë europiane.
Sipas Spiropalit, gjuha shqipe është një e drejtë themelore dhe nuk mund të jetë objekt diskutimi apo kompromisi. Ajo shton se një shtet që garanton gjuhën forcon barazinë, ndërton besim dhe stabilitet për qytetarët e tij, duke mbështetur studentët që po mbrojnë jo vetëm gjuhën, por edhe dinjitetin dhe parimet mbi të cilat duhet të funksionojë një shoqëri e drejtë.
Reagimi i saj i plotë thekson: “Kur një e drejtë që parashikohet në Kushtetutë dhe ligj kërkohet në rrugë, lind nevoja për më shumë vëmendje dhe reflektim mbi zbatimin e saj në praktikë. Protesta e studentëve sot është më shumë se një reagim; është thirrje për të forcuar standardet dhe për të garantuar të drejtat themelore.”