Gjykata Administrative ka vendosur të shtyjë seancën lidhur me çështjen që përfshin kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, dhe prokurorin e SPAK, Ols Dado.
Në një intervistë për News24, avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, deklaroi se pala mbrojtëse ka kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit presidencial që lidhet me emërimin e prokurorit.
“Çështja administrative ka të bëjë me një akt që në këndvështrimin tonë është i pavlefshëm. Në rastin e zotit Dado rezulton që në kohën kur është emëruar si prokuror nuk plotësonte kriteret që parashikohen nga ligji i kohës për emërimin si prokuror. Pra, nuk kemi kërkuar përjashtim, por konstatim të pavlefshmërisë absolute të dekretit presidencial,” u shpreh Ndreca.
Ai theksoi se çështja është ende në fazën e analizës së materialeve, duke nënvizuar volumin e madh të provave.
“Janë rreth mbi 1 mijë prova për t’u vlerësuar dhe do marrë kohën e vet,” deklaroi ai.
Ndreca shtoi se, sipas tij, përfshirja e prokurorit në çështje ka pasoja ligjore, pasi ai ka firmosur akte procedurale.
Në lidhje me gjendjen e Erion Veliaj, avokati u shpreh se ai është në gjendje të mirë dhe i përgatitur për procesin.
“Veliaj është në gjendje shumë të mirë qoftë fizike, mendore dhe intelektuale… është shumë i qartë për të gjithë betejën që ka përpara,” tha ai, duke shtuar se pjesë nga seanca do të bëhen publike në vijim.
