
Një pilot i Shteteve të Bashkuara është shpëtuar pasi një avion luftarak u rrëzua mbi Iran, ndërsa fati i një anëtari të dytë të ekuipazhit mbetet i panjohur, sipas zyrtarëve amerikanë.
Një zyrtar amerikan i tha Reuters se avioni u rrëzua mbi Iran dhe se u nisën operacione kërkim-shpëtimi. Raporte të tjera thonë se forcat amerikane siguruan zonën rreth pilotit për disa orë përpara se ta evakuonin. Ai raportohet se është në gjendje të qëndrueshme.
Nuk ishte menjëherë e qartë nëse incidenti përputhej me pretendimet e mëhershme të Iranit të premten se një pilot amerikan ishte hedhur me parashutë mbi jugperëndimin e vendit.
Një kanal i lidhur me televizionin shtetëror iranian u bëri thirrje banorëve të dorëzonin çdo “pilot armik” tek autoritetet dhe premtoi shpërblim.

Kanali, me bazë në provincën Kohgiluyeh dhe Boyer-Ahmad, transmetoi gjithashtu një mesazh të mëhershëm që i bënte thirrje publikut t’i “qëllonin nëse i shihnin”, duke iu referuar pamjeve të asaj që dukej si avionë amerikanë.
Kanali publikoi imazhe të mbetjeve metalike në pjesën e pasme të një kamionçine, por nuk dha detaje të verifikueshme.
Gjatë gjithë luftës, Irani ka pretenduar vazhdimisht se ka rrëzuar avionë me pilot, pretendime që nuk janë konfirmuar. Megjithatë, nëse verifikohet, ky do të përbënte një përshkallëzim të rëndësishëm dhe një rast të rrallë të konfirmuar të rrëzimit të një avioni luftarak amerikan mbi Iran.
Komanda Qendrore e SHBA (CENTCOM), Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment, shkruan Ynet.