Vendosni fjalën kyçe....

“Tre javë para shpërthimit të Gërdecit u paralajmëruam nga inteligjenca e NATO-s” – Mediu


Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, deklaroi sot se shpërthimi i Shpërthimi i Gërdecit më 15 mars 2008 ishte paraprirë nga sinjale paralajmëruese të ardhura nga strukturat e inteligjencës së NATO. Sipas tij, në atë periudhë ishte përmendur edhe një deklaratë e presidentit rus Vladimir Putin, i cili e kishte cilësuar zgjerimin e NATO-s si një rrezik për interesat e Rusisë.

Mediu shpjegoi se rreth tre javë përpara tragjedisë, drejtues të Shërbimit Informativ të Ushtrisë kishin marrë një informacion nga selia e NATO-s në Bruksel, i cili sugjeronte kujdes të shtuar për shkak të mundësisë së ndonjë incidenti përpara anëtarësimit të Shqipërisë në aleancë. Sipas tij, ky informacion nuk u trajtua me seriozitetin e duhur nga institucionet përgjegjëse dhe nuk u morën masa parandaluese adekuate.

Ai shtoi se më vonë ngjarja u përdor si instrument për përballje politike nga opozita e asaj kohe. Sipas Mediut, familjarët e viktimave janë përfshirë vazhdimisht në debatet politike, duke u përballur me një situatë që, sipas tij, ka tejkaluar dimensionin e drejtësisë dhe është shoqëruar me interesa politike. Ai theksoi se që prej vitit 2008, kjo çështje është trajtuar shpesh si një temë politike.

Në rrëfimin e tij, Mediu përmendi se informacioni ishte diskutuar gjatë një takimi në Bruksel me drejtues të strukturave të inteligjencës së NATO-s, të cilat tradicionalisht drejtohen nga përfaqësues amerikanë. Ai shtoi se gjatë një darke zyrtare, një përfaqësuese e lartë kishte përsëritur paralajmërimin edhe për drejtorin e SHISH, duke theksuar se sinjali vinte nga NATO. Megjithatë, sipas tij, nuk pati një reagim apo analizë të plotë institucionale mbi këtë çështje.

“Ka një fakt të dokumentuar dhe të deklaruar në procesin gjyqësor. 3 javë para ngjarjes, bashkë me drejtorin e SHIU kemi qenë në Bruksel, në një takim me drejtorin e zyrës së inteligjencës, është drejtuar gjithnjë nga përfaqësues të SHBA. Na është thënë duhet të ruheni nga ndonjë ngjarje, para anëtarësimit në NATO. Putin e tha në konferencën e Mynihut se zgjerimi i NATO-s është kërcënim për Rusinë. Po ashtu gjatë darkës, nëndrejtoresha ia ka përsëritur drejtorit të SHISH, duke i thënë se kemi marrë këtë sinjal nga NATO. Nuk është se ka patur një përgjigje apo analizë me këtë çështje. Ka patur edhe informacione të tjera që nga pikëpamja e sigurisë kombëtare nuk janë analizuar për të thënë që ka patur apo nuk ka patur, por përdoren interesa politike për gjueti politike shtrigash për të ngacmuar familjarët për një ndjenjë e cila tejkalon drejtësinë dhe vinte me interes politik. Nga 2008 është kthyer në një ngjarje politike.” – tha Mediu.