Autoritetet shqiptare nuk mund të japin dot një datë se kur bujqësia shqiptare mund të përfitojë sërish nga fondet europiane përmes programit IPARD III.
Dy javë më parë Komisioni europian shpjegoi se “Autoritetet shqiptare duhet të kërkojnë që të akreditohen për të menaxhuar fondet e IPARD III në përputhje me marrëveshjet dypalëshe dhe procedurat përkatëse.
Meqenëse Komisioni Evropian nuk e ka marrë një kërkesë të tillë për momentin, nuk është e mundur të thuhet se kur mund të jepet akreditimi”.
Ndërsa IPARD II, u bllokua pasi u konstatuan abuzime me shpërndarjen e fondeve, e vetmja datë për momentin është ajo që dha sot ministri i Bujqësisë Andis Salla.
“Brenda datës 9 prill do të depozitojmë masën e fundit, kërkesat të cilat ne na janë kërkuar brenda pra një muaji i cili ne e kemi dakordësuar me ta. Përfundimisht atë çfarë ne presim më pas akreditimin e paketës së IPARD”, tha Salla.
Në mungesë të fondeve nga BE-ja, fermerët shqiptarë mund të përfitojnë vetëm nga mbështetja financiare e qeverisë.
Në ndryshim nga një praktikë e zbatuar nga viti 2021, këtë vit ata nuk do të marrin më naftën pa taksa, për të punuar tokën e tyre. Ministri Salla tha se skema e re e parashikuar, ofron një gamë më të gjerë fondesh.
“Skema e naftës është një skemë mbështetëse. Pra, ne japim pagesë të drejtpërdrejtë dhe skema e cila ne paraqitëm sot është një skemë e gjithëpërfshirëse. Pra, fermeri bëhet pjesë në të gjitha këto skemat që ne kemi këtu”, tha Salla.
Ky ndryshim në skemë bëhet në kushtet kur çmimi i karburantit është në rritje të fortë prej luftës në Lindjen e Mesme. Ministri thotë se në ndihmë të fermerëve për t’iu ulur kostot është kompensimi me 10% i faturave për çdo shitje që ata bëjnë tek grumbulluesit, agropërpunuesit apo agroturizmat.
“Edhe mbështetjes në masat e çdo skeme për të përfituar dhe për të ulur kostot dhe për t’u mbështetur nga ana e qeverisë shqiptare”, tha Salla.
Sipas skemës së re, fondet që shkonin si mbështetje për naftën në varësi të sipërfaqes dhe kulturës bujqësore, janë shpërndarë duke rritur masat e tjera.
“Përgjysmohen pragjet e përfitimit, pra përfitojnë fermat me pesë lopë, me 50 krerë të imta, me 25 koshere dhe me pesë dosa. Për kontrollin biologjik të dëmtuesve në sera rritet mbështetja me 70% të kostos së shpenzimeve”, tha ministri.
Me skemën e re qeveria mbështet me 10 mijë lekë çdo krerë lope për tufa jo më të vogla se 5 bagëti, dhe jep 1500 lekë për të imtat për tufa jo më të vogla se 50 krerë. Për herë të parë financimi për dosat në 7 mijë lekë për krerë, kush ka tufë jo më pak se 5 krerë. Kurse për bletarinë, jepet 20 mijë lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 25 koshere.
Skema kombëtare për këtë vit do të jetë 5.2 miliardë lekë, por pritet që ky financim të shtohet me rishikimet që do të pësojë buxheti i shtetit.
SKEMA KOMBËTARE PËR VITIN 2026
Ferma Fonde
Gjedhë Jo më pak se 5 krerë 10 mijë lekë/ krerë
Të imta Jo më pak se 50 krerë 1500 lekë/ krerë
Dosa Jo më pak se 5 krerë 7 mijë lekë/ krerë
Bletari Jo më pak se 25 koshere 20 mijë lekë/ krerë
