
Shqipëria dhe Italia po diskutojnë forcimin e bashkëpunimit në fushën e farmaceutikës, me fokus përmirësimin e kuadrit ligjor dhe afrimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, zhvilloi një takim me përfaqësues të Agjencisë Italiane të Barnave, ku u diskutuan masat për rritjen e aksesit në barna dhe përmirësimin e funksionimit të tregut farmaceutik.
Bisedimet u zhvilluan në kuadër të procesit të integrimit të Shqipëria në BE, që përfshin edhe përafrimin e legjislacionit për barnat dhe produktet farmaceutike.
Sipas diskutimeve, një nga çështjet kryesore mbetet krijimi i një modeli më të qëndrueshëm të tregut, si dhe ndërhyrjet në çmimet dhe furnizimin me barna.
Palët po shqyrtojnë edhe mundësinë e një Memorandumi Mirëkuptimi, që do të përfshinte bashkëpunim në fusha si kontrolli i cilësisë, autorizimi i barnave, farmacovigjilenca dhe vlerësimi i teknologjive shëndetësore.
Ky bashkëpunim synon të mbështesë reformat në sektor dhe përafrimin me standardet evropiane.