Vendosni fjalën kyçe....

“Berlini, Parisi, Roma në rrezik nga raketat iraniane” – Shefi i IDF-së


Shefi i Shtabit të IDF-së, Gjenerallejtënant Eyal Zamir, tha të shtunën në mbrëmje se lufta me Iranin do të vazhdojë edhe gjatë festës së Pashkëve.

Në një deklaratë publike në fund të javës së tretë të Operacionit Roaring Lion, Zamir tha: “Jemi në mes të rrugës, por drejtimi është i qartë.”

Duke iu referuar festës së ardhshme, ai shtoi: “Në rreth një javë, gjatë Pashkëve, Festës së Lirisë, ne do të vazhdojmë të luftojmë për lirinë tonë dhe të ardhmen tonë.”

“Dëmi i madh që i kemi shkaktuar regjimit iranian gjatë tre javëve të fundit ka filluar të grumbullohet në një arritje sistemike dhe strategjike — ushtarakisht, ekonomikisht dhe në qeverisje,” tha Zamir, shkruan Ynet. Sipas tij, “regjimi i ligë është më i dobët, Irani është më i ekspozuar dhe i mungon aftësia e rëndësishme mbrojtëse.”

Zamir tha se Irani përbën gjithashtu një kërcënim direkt për Evropën. “Irani lëshoi një raketë balistike ndërkontinentale me dy faza, me një rreze prej 4,000 kilometrash, drejt një objektivi të SHBA-së në ishullin Diego Garcia. Këto raketa nuk janë të destinuara për të goditur Izraelin. Rrezja e tyre arrin kryeqytetet evropiane — Berlini, Parisi dhe Roma janë të gjitha brenda rrezes së kërcënimit të drejtpërdrejtë.”

“Kemi mësuar nga historia botërore dhe ajo çifute se mohimi i një kërcënimi ose pajtimi me të nuk e bën atë të zhduket — përkundrazi,” tha Zamir. Ai paralajmëroi se “ata që dështojnë të përballen me një kërcënim në fillesat e tij, në të ardhmen do të bëhen peng të tij. Zotërimi i aftësive strategjike vdekjeprurëse nga regjimet radikale dhe diktatoriale është një rrezik jo vetëm për Izraelin, por për botën.”

Duke folur për luftimet përgjatë kufirit me Libanin, Zamir tha: “Sot miratova planet e Komandës së Veriut për vazhdimin e operacioneve. Nuk ka më vetëpërmbajtje. Ka iniciativë dhe ofensivë. Forcat tona do të qëndrojnë si një tampon (buffer) mes armikut dhe komuniteteve, dhe çdo objektiv që përbën kërcënim për to do të hiqet.”

“Veprimet tona në Iran po dobësojnë Hezbollahun,” shtoi ai, duke iu referuar grupit militant libanez të mbështetur nga Irani. “Hezbollahu operon në shërbim të Iranit, po shkatërron Libanin dhe e ka tërhequr atë në luftë. Fushata aktuale do të çojë përpara objektivin tonë strategjik për çarmatimin e Hezbollahut.”