Vendosni fjalën kyçe....

Braçe: Çmimi i naftës u caktua me mesazh, Shoqata e Hidrokarbureve funksionon si kartel


Deputeti i Partia Socialiste e Shqipërisë, Erion Braçe, ka ngritur shqetësimin për rritjen e çmimit të karburanteve gjatë mbledhjes së Komisioni për Ekonominë dhe Financat, duke deklaruar se çmimi i naftës është caktuar përmes një mesazhi të shpërndarë tek pikat e karburantit.

Sipas Braçes, një ditë më parë çmimi është vendosur në nivelin 198 lekë për litër dhe është komunikuar rreth orës 16:00 përmes një mesazhi të dërguar në celularët e pikave të karburantit në të gjithë vendin.

“Çmimi i naftës ka ndryshuar dje rreth orës 4:00 pasdite. Nuk e di para apo pas takimit me ministrat e qeverisë, por ka ndryshuar dje në orën 4:00 fiks pas një mesazhi të mbërritur në celularin e çdo pike karburanti në territor, të bardha apo edhe të brenduara. Çmimi është më i lartë tek ato që janë të brenduara praktikisht,” u shpreh ai.

Deputeti shtoi se çmimi aktual varion nga 197–198 lekë deri në 202 lekë për litër, duke e cilësuar këtë nivel si një objektiv të vazhdueshëm të tregtarëve të karburanteve.

“Pra çmimi më i lartë, ai nga 197-198 deri te 202 lekë, që këta e kanë sfidë personale. Kanë katër vjet që e kanë sfidë atë 202 lekëshin ta çojnë prapë atje ku e patën ato ditët e tmerrshme para katër vitesh,” tha Braçe.

Ai ngriti gjithashtu shqetësimin se rritja e çmimeve po ndodh nën ndikimin e Shoqata e Hidrokarbureve, të cilën e akuzoi se funksionon si kartel në treg.

“Pra ka ndryshuar me një mesazh dhe unë po përpiqem shumë që ato mesazhe t’i mbledh dhe t’ua dërgoj. Dhe mbi të gjitha nën diktatin e një shoqate që garanton kartelin, që është Shoqata e Hidrokarbureve. Këto mesazhe veçanërisht tek pikat e bardha i dërgojnë zyrtarët e shoqatës së hidrokarbureve, të paktën nga ato që kam unë dhe nga ajo që lexoj unë,” deklaroi ai.