
Fushata e sulmeve nga Teherani rrezikon të prishë rrjetet e transportit detar në hije dhe rrugët e shmangies së sanksioneve, duke rritur kostot e energjisë për Moskën dhe Pekinin dhe duke kufizuar potencialisht financimin e luftës së Rusisë si dhe zinxhirët industrialë dhe ushtarakë të furnizimit të Kinës.
Që nga e hëna, regjimi iranian shpalli të mbyllur ngushticën strategjike të Hormuzit — midis ishulit të Hormuzit në Iran dhe enklavës së Khasab në Oman — duke paralajmëruar se anijet që do të hyjnë mund të “digjen”.
Trafiku i cisternave të naftës ra menjëherë ndjeshëm, pasi marinarët tregtarë tani kanë frikë nga sulmet me raketa. Konflikti ka ndikuar gjithashtu edhe në të ashtuquajturën “flotë në hije” të cisternave të naftës pa flamur ose me flamuj të fshehur, të lidhura me vende të izoluara ekonomikisht si Kuba, Iran dhe Rusia.
SHBA tashmë ka vendosur një lloj karantine detare ndaj importeve të naftës në Kubë, ndërsa vende si Meksika janë paralajmëruar të mos dërgojnë naftë drejt regjimeve që konsiderohen armiqësore.
Partnerët evropianë kanë ndërmarrë gjithashtu masa kundër anijeve të “flotës në hije”, duke shtrënguar presionin ndaj Kinës dhe veçanërisht ndaj Rusisë mes tensioneve të reja.
Ushtria e Belgjikës të hënën ndaloi një cisternë të flotës në hije të quajtur MT Ethera ndërsa ajo kalonte në detin e Veriut.
Ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken, i tha GCaptain News se cisterna u devijua drejt portit të Zeebrugge nga një eskortë dhe do të konfiskohet nga autoritetet në Bruksel.
“Operacioni Blue Intruder u krye nga një ekip ushtarësh jashtëzakonisht të guximshëm. Punë e shkëlqyer,” tha ai, ndërsa media raportoi se anija ishte e lidhur me një bashkëpunëtor të ngushtë të liderit suprem iranian, Ali Khamenei.
MT Ethera raportohet se lidhet me djalin e këshilltarit të lartë politik Ali Shamkhani, familja e të cilit thuhet se kontrollon një flotë të tërë cisternash që mund të përdoren për të lehtësuar tregtinë e naftës mes Iranit dhe Rusisë.
Një konsorcium fuqish perëndimore zbaton gjithashtu tavanin e çmimit të naftës Ural, i cili muajin e kaluar u ul në rreth 44 dollarë për fuçi. I emëruar sipas Maleve Ural, ky kufi synon të mbajë naftën ruse nën çmimet e tregut të lirë.
Shënjestrimi i ri më agresiv nga Perëndimi ndaj “tregut gri” të naftës së flotës në hije sinjalizon probleme të mundshme për vendet që mbështeten tek ajo, si Kina dhe Kuba.
Kina raportohet se mbështetet shumë te Irani për naftë që përndryshe është nën sanksione, ndërsa Rusia mund të përballet me kufizime të mëtejshme financiare që mund të ndikojnë negativisht në fondet e nevojshme për të vazhduar luftën në Ukrainë.
Ndërkohë, U.S. Central Command publikoi këtë javë një video të një sulmi amerikan ndaj një anijeje iraniane që transportonte dronë. Komandanti Brad Cooper tha se më shumë se 30 anije të lidhura me Teheranin janë fundosur që nga fillimi i ofensivës, sipas Naval Today.
“Në vetëm disa orët e fundit goditëm një transportues dronësh iranian me madhësi të ngjashme me një aeroplanmbajtëse të epokës së Luftës së Dytë Botërore, dhe aktualisht ajo është në flakë,” tha Cooper.
Shkatërrimi i raportuar i Ajatollahut dhe i 48 pasardhësve të tij të mundshëm — sipas deklarimeve të presidentit Donald Trump — si dhe arrestimi i diktatorit venezuelian Nicolás Maduro, thuhet se ka lënë në kaos jo vetëm flotën në hije por edhe furnizuesit e vendeve që varen prej saj.
Ashtu si rritja e çmimeve nga OPEC ndikon në çmimet e energjisë në SHBA, shkatërrimi i flotës në hije mund të shkaktojë gjithashtu inflacion në Kinë.
Fox News kontaktoi me Departamentin e Thesarit për më shumë informacion mbi efektet e flotës në hije, pasi ky institucion mbikëqyr Zyrën e Kontrollit të Aseteve të Huaja.(OFAC).
Në javët e fundit, OFAC ka vendosur sanksione ndaj 30 personave ose entiteteve të lidhura me mundësimin e shitjeve të paligjshme të naftës iraniane ose përfitimin nga prodhimi i armëve, si pjesë e fushatës së “presionit maksimal” të Trump.
“OFAC shënjestroi anije shtesë që operojnë si pjesë e flotës në hije të Iranit, të cilat transportojnë naftë dhe produkte nafte drejt tregjeve të huaja dhe shërbejnë si burimi kryesor i të ardhurave të regjimit për financimin e represionit të brendshëm, përfaqësuesve terroristë dhe programeve të armëve,” tha agjencia në një deklaratë.
“Irani shfrytëzon sistemet financiare për të shitur naftë të paligjshme, për të pastruar të ardhurat, për të siguruar komponentë për programet e tij bërthamore dhe konvencionale të armëve dhe për të mbështetur grupet e tij proxy,” shtoi sekretari i Thesarit Scott Bessent.
“Thesari do të vazhdojë të ushtrojë presion maksimal ndaj Iranit për të goditur aftësitë e regjimit në armë dhe mbështetjen për terrorizmin, të cilat i ka prioritet mbi jetën e popullit iranian,” tha Bessent.
OFAC më pas listoi një duzinë anijesh që janë konfirmuar si pjesë e “flotës në hije” nën sanksione.
“Në vend që këto të ardhura të përdoren për të mirën e popullit iranian, regjimi i devijon ato për të financuar përfaqësues terroristë rajonalë, programe armësh dhe shërbime represive sigurie, në vend të nevojave bazë ekonomike që populli iranian i ka kërkuar vazhdimisht dhe me guxim,” tha Departamenti i Thesarit.
Anije me flamuj nga Panama, Barbados, Palau, Komoros, Iran dhe Vanuatu janë identifikuar nga SHBA si transportuese të miliona fuçive naftë iraniane në vitet e fundit.
Departamenti i Thesarit, i cili mbikëqyr OFAC, nuk iu përgjigj kërkesave për koment për këtë histori.