Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se një nëndetëse amerikane ka fundosur një luftanije iraniane në Oqeanin Indian duke përdorur një silur.
Hegseth nuk e bëri publik emrin e anijes, por më herët marina e Sri Lankës njoftoi se rreth 140 persona rezultojnë të zhdukur pasi një anije iraniane u mbyt pranë brigjeve të Galle.
Ndërkohë, Izraeli ka deklaruar se ka goditur “seli sigurie” në të gjithë Teheranin, ndërsa sulmet ajrore amerikano-izraelite në Iran vijojnë.
“Po bëhet çdo ditë e më keq”, tha një banor i Teheranit për BBC-në, ndërsa ceremonia tre-ditore mortore për ish-liderin suprem, Ali Khamenei, e planifikuar të niste mbrëmjen e sotme, është shtyrë.
Izraeli ka ndërmarrë gjithashtu sulme në Liban, ndërsa raportohen sulme të reja, që dyshohet se vijnë nga Irani, në Arabinë Saudite dhe Kuvajt. Turqia ka bërë të ditur se “mbrojtja e NATO-s” ka rrëzuar një raketë iraniane.
Nga ana tjetër, Mbretëria e Bashkuar ka konfirmuar detajet e një fluturimi riatdhesimi nga Omani, i cili do të niset nga Muskati në orën 23:00 me orën lokale.
