Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi thirrje për pjesëmarrje në protestën e orës 18:00: Të çlirojmë Shqipërinë nga korrupsioni


Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën kombëtare që do të zhvillohet sot në orën 18:00 para Kryeministrisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi thekson se qytetarët duhet të jenë edhe më të vendosur për ta çliruar Shqipërinë nga korrupsioni i qeverisë dhe i kryeministrit Edi Rama.

Në reagimin e tij, ai shprehet: “Kur Kryeministri shpall luftën ndaj korrupsionit si rrezik, është koha që qytetarët duhet të jenë edhe më të vendosur për ta çliruar Shqipërinë nga korrupsioni i Edi Ramës.

Sipas Bardhit, protesta e sotme është një moment për të treguar vendosmëri kundër korrupsionit.

Sot, në orën 18:00, është momenti për të treguar me vendosmëri të gjithë bashkë, se korrupsioni i Edi Ramës është rrezik dhe se largimi i tij është zgjidhja e vetme që Shqipëria të marrë frymë lirisht,” shkruan ai.

Ai u bën thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën kombëtare para Kryeministrisë, duke theksuar se beteja kundër korrupsionit, sipas tij, rrezikon pushtetin e kryeministrit, por çliron ekonominë dhe rrit mirëqenien e qytetarëve.