
Kryetari i Partiasë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar pas ndryshimeve të fundit në qeveri, duke deklaruar se largimi i Belinda Ballukut është vetëm formal dhe se ajo vijon të ketë ndikim në ekzekutiv.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shehaj u shpreh se dy ministrat e rinj të emëruar, Enea Karakçi dhe Ermal Nufi, janë persona të afërt me Ballukun dhe, sipas tij, të vendosur në këto poste me ndikimin e saj.
“Rama heq Ballukun sa për sy e faqe. Në fakt ajo vazhdon të qëndrojë në pushtet me drejtorët e saj në hetim nga SPAK-u!”, ka shkruar Shehaj krahas videos së publikuar në Facebook.
Ai shtoi se Karakçi, i cili më herët ka mbajtur postin e drejtorit të OSHEE-së, është nën hetim nga SPAK, por kjo, sipas tij, nuk e pengoi emërimin e tij në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës. Ndërsa Nufi, i cili ka qenë drejtor kabineti i Ballukut, u emërua ministër i Mbrojtjes.
“Më në fund Rama dorëzohet dhe lëshon Belinda Ballukun. E heq atë nga Qeveria, kur në fakt Balluku nuk ishte më në qeverisje, pasi ishte pezulluar nga Gjykata Kushtetuese. Por ajo që është më e rëndësishme është se Balluku nuk është larguar totalisht nga Qeveria, pasi në Qeveri ka futur zarat e saj. Një prej tyre është Enea Karakaçi, i cili emërohet ministër i Infrastrukturës (…) Por ajo që është më e rëndësishme është se ishte në hetim nga SPAK. (…) Një zar tjetër i Ballukut është Ermal Nufi (…) Praktikisht Balluku vazhdon të qëndrojë në pushtet”, u shpreh Shehaj.
Deklaratat e tij vijnë në një klimë debatesh politike lidhur me riformatimin e kabinetit qeveritar dhe rolin e figurave të afërta me ish-ministren në strukturat aktuale të qeverisë.