Shteti brazilian i Minas Gerais po përballet me pasoja të rënda pas reshjeve të dendura që shkaktuan përmbytje dhe rrëshqitje dheu, duke lënë të paktën 46 persona të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur, përcjell Euronews.
Rrugët në qytetet Uba dhe Juiz de Fora mbeten të mbuluara me baltë dhe mbetje, ndërsa banorët janë rikthyer për të pastruar dyqanet dhe për të nxjerrë automjetet e mbuluara nga llumi.
Sipas pronarëve të bizneseve, niveli i ujit arriti deri në dy metra, duke shkaktuar dëme të mëdha në mallra dhe ambiente tregtare.
Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet në zonat e paqëndrueshme, megjithëse shpresat për gjetjen e të mbijetuarve po zbehen, pasi për këtë javë parashikohen reshje të tjera shiu.
Autoritetet bëjnë me dije se mijëra banorë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Kjo tragjedi i shtohet serisë së ngjarjeve ekstreme të motit që kanë goditur Brazilin vitet e fundit, ku reshjet intensive janë bërë gjithnjë e më të shpeshta.
