Vendosni fjalën kyçe....

Durim Bami ekstradohet sot nga Dubai


Një nga personat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, Durim Bami, pritet të ekstradohet këtë të enjte nga Dubai drejt Shqipëri, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”.

Sipas Policisë së Shtetit, 47-vjeçari, banues në Nikël të Krujës, ishte arrestuar në Dubai në tetor të vitit 2024 dhe ndaj tij Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.

Ai akuzohet për veprat penale” sigurim kushtesh për kryerje vrasjeje”, “grup i strukturuar kriminal” dhe “kultivim të bimëve narkotike”.

Njoftimi i policisë

Policia e Shtetit/Vijon operacioni ndërkombëtar i koduar “The Wanted”, për lokalizimin, kapjen dhe finalizimin e procedurave të ekstradimit të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Pritet finalizimi i procedurave të ekstradimit gjatë ditës së sotme, nga Dubai, në Shqipëri, të një shtetasi të shumëkërkuar.

Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, ditën e sotme, pritet të ekstradohet nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, shtetasi D. B., 47 vjeç, banues në Nikël, Krujë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.

Pas mbërritjes së këtij shtetasi, do të ketë një njoftim të plotë për median.