
Tregu i sigurimeve vullnetare shfaqi një ecuri të dobët edhe vitin e kaluar, ndërsa pesha e tij specifike zbriti në nivelin më të ulët që prej vitit 2020.
Sipas statistikave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), pesha e produkteve vullnetare në tregun e Jo-Jetës ra për rë dytin vit radhazi në 31.44%, nga 32.85% që kishte qenë për vitin 2024.
Nga tetë kompani të sigurimit të jo-jetës, vetëm dy prej tyre kanë një peshë të sigurimeve vullnetare më të lartë se mesatarja e tregut, në strukturën e primeve të shkruara bruto.
Ndërkohë, vetëm një kompani e ka peshën e sigurimeve dominuese në strukturën e primeve të shkruara bruto, me më shumë se 50% të totalit të tyre.
Produkti më i rëndësishëm i sigurimit vullnetar, sigurimi i pasurisë nga zjarri dhe forcat e natyrës vitin e kaluar shënoi një rritje modeste të primeve të shkruara bruto, me 10.25%, Pesha e tij specifike megjithatë u rrit në përmasa të papërfillshme dhe arriti në 9.85% të primeve të shkruara bruto, nga 9.82% që përbënte një vit më parë.
Një ecuri të ngjashme shfaqi sigurimi KASKO i automjeteve. Primet e shkruara bruto për këtë produkt u rritën me 10.42%. Ato përbënin 7.9% të tregut, nga 7.86% një vit më parë.
Tregu i sigurimit KASKO është i lidhur në një masë të madhe me shtimin e investimit në automjete të reja, kryesisht për zgjerimin e flotave të bizneseve të makinave me qira.
Megjithëse sigurimi i pronës apo ai KASKO janë produkte ligjërisht vullnetare, praktikisht shumica e kontratave të sigurimit të lidhura për këto produkte janë të detyrueshme, për shkak të kërkesave nga palët e treta.
Sigurimi i pronave në shumicën e rasteve vjen si kërkesë e institucioneve financiare, për pasuritë e lëna si kolateral për garantimin e kredive të marra.
Edhe sigurimi KASKO, megjithëse është ligjërisht vullnetar, në shumicën e rasteve ai është faktikisht i detyrueshëm, duke qenë se blerjet e automjeteve të reja financohen zakonisht me lizing dhe sigurimi është kusht nga institucioni financiar.
Rritje të lehtë në strukturën e primeve të tregut ka shënuar edhe sigurimi i përgjegjësive civile, ndërsa pesha e produkteve të tjera të sigurimit vullnetar, si sigurimet e shëndetit dhe aksidenteve, ka pësuar rënie krahasuar me një vit më parë.
Shifrat tregojnë se tregu i sigurimeve ngelet në masën dërrmuese i varur nga produktet e detyrueshme dhe kompanitë kanë dështuar për përmirësuar në mënyrë domethënëse kulturën e sigurimit vullnetar mes shqiptarëve.
Në fillim të këtij vitit, qeveria ka dërguar në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe në disa institucione të tjera të lidhura një variant të ri të projektligjit për sigurimin e detyrueshëm të banesave, që pritet t’i propozohet për miratim Kuvendit të Shqipërisë.
Varianti më i fundit i projektligjit përfshin sigurim të detyrueshëm jo vetëm për tërmetet, por edhe për përmbytjet, në ato zona ku ekziston një rrezik i tillë. Skema do të administrohet nga një shoqëri shtetërore që do të ngrihet enkas për këtë qëllim.
Megjithatë, ashtu si në variantet e mëparshme, projektligji përmban kryesisht parashikime të natyrës së përgjithshme dhe ka pak dispozita konkrete lidhur me detajet e skemës së sigurimit./Monitor