
Nga “Foltorja” e radhës para Kryeministrisë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi Partinë Socialiste se në mbledhjen e Këshillit të Mandateve refuzoi të votojë pro kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Berisha deklaroi se qëndrimi i mazhorancës bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe se vendimi, sipas tij, duhet të merret nga komisioni dhe jo nga grupi parlamentar.
Ai njoftoi se të shtunën, më 28 shkurt, në orën 18:00, do të mbahet protestë kombëtare për arrestimin e kryeministrit Edi Rama dhe Ballukut.
“Duke thënë të gjitha këto, do u them edhe një gjë tjetër, gjithçka varet nga ne. Kush Edi Ramën nga ajo zyrë nuk e nxjerr përveç nesh. Nuk vjen njeri të na e nxjerrë. Jemi ne. (…) Pra, kush do ia heqë imunitetin asaj? Qytetarët shqiptarë! Të shtunën, në ora 6, e gjithë Shqipëria kundër Edi Ramës, imunitetit të Edi Ramës, për arrestimin e Edi Ramës, për largimin nga pushteti. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!”, u shpreh Berisha.