Vendosni fjalën kyçe....

Reshjet bllokojnë rrugën në Sënvasil, pemë të rrëzuara në Pyllin e Sodës



Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin këtë të premte kanë sjellë probleme në disa zona.

Nga Himara raportohet se, si pasojë e reshjeve të dendura, rruga kryesore e fshatit Sënvasil është bllokuar nga rrëshqitjet e dherave. Banorët i bëjnë thirrje autoriteteve për ndërhyrje të menjëhershme me mjete të rënda për pastrimin e aksit, pasi qarkullimi është vështirësuar ndjeshëm dhe rreziku mbetet i lartë nëse moti i keq vijon.

Ndërkohë, në zonën e Pyllit të Sodës, erërat e forta kanë rrëzuar disa pemë gjatë orëve të para të mëngjesit, duke krijuar rrezik për automjetet në qarkullim.

Rreth orës 04:00, një automjet është përplasur me një nga pemët e rrëzuara në rrugë, çka ka shkaktuar bllokim të përkohshëm të qarkullimit për disa minuta. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.

Autoritetet lokale pritet të vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa parashikimet meteorologjike sinjalizojnë vijim të reshjeve edhe gjatë ditës.