Vendosni fjalën kyçe....

“Ju lutem shpallni të pafajshëm Thaçin në të gjitha akuzat,” –avokati mbrojtës Mishetiç



Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiç, ka kërkuar shpalljen e pafajësisë për të gjitha akuzat kundër klientit të tij. Mishetiç deklaroi se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk disponon asnjë provë që ta implikojë Thaçin në krime lufte dhe akuzoi Prokurorinë për ndryshime të provave për të mbushur boshllëqet në dosje.

“Ju lutem shpallni të pafajshëm Thaçin në të gjitha akuzat,” tha Mishetiç, duke shtuar se nuk ka dëshmi që Thaçi të ketë pasur dorë në hartimin apo shpërndarjen e komunikatave të UÇK-së. Ai po ashtu kritikoi ZPS për deklarimet kontradiktore rreth pjesëmarrjes së shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi, në takime që lidhen me të ashtuquajturën “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

Në të njëjtën seancë gjyqësore, mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, deklaroi se nuk është detyrë e tyre të vërtetojnë lidhjen e Rexhep Selimit me krimet, por të paraqesin dëshmitë e viktimave dhe pasojat e tyre, duke ndihmuar trupin gjykues të kuptojë ndikimin e krimeve.

Seanca e së martës parashikon që pas pushimit të drekës të deklarohen të katër të akuzuarit: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, dhe mbyllet gjatë pasdites. Në gjashtë seancat paraprake janë shqyrtuar fjalët përmbyllëse të prokurorëve, ekipeve mbrojtëse dhe mbrojtësit të viktimave, si dhe pyetjet nga trupi gjykues.