Vendosni fjalën kyçe....

Rrëshqitje gurësh në aksin Burrel–Skuraj, rrezikohet qarkullimi



Rrëshqitje gurësh dhe inertesh janë regjistruar gjatë natës në rrugën nacionale Burrel–Skuraj. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të sektorit C, një segment problematik ku sa herë ka reshje shiu raportohen shembje nga shpati i malit.

Situata ka krijuar rrezik për drejtuesit e mjeteve dhe udhëtarët që lëvizin nga qarku i Dibrës dhe nga Maqedonia e Veriut në drejtim të Durrësit, Lezhës dhe Shkodrës. Gurët dhe inertet kanë rënë në asfalt, duke vështirësuar qarkullimin dhe duke rrezikuar jetën e kalimtarëve.

Punonjësit e firmës që mirëmban këtë segment rrugor, nga Burreli në Skuraj e deri në Milot, kanë ndërhyrë që në orët e para të mëngjesit për pastrimin e rrugës dhe normalizimin e qarkullimit.

Rrëshqitje të ngjashme janë raportuar edhe në pjesë të tjera të këtij aksi, veçanërisht në zonën e Shkopetit. Përveç rrezikut nga gurët dhe inertet në asfalt, segmenti paraqet problematika edhe për mungesën e mbrojtëseve anësore dhe sinjalistikës rrugore, çka përbën rrezik serioz, pasi mjetet mund të përfundojnë në liqenin e Shkopetit.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në këtë segment, sidomos në kushte reshjesh.