Vendosni fjalën kyçe....

Fitoi Oscar-in me filmin “Kumbari”, ndahet nga jeta aktori amerikan Robert Duvall


Robert Duvall, aktori i vlerësuar me Çmimin Oskar, i njohur gjerësisht me rolet e tij në The Godfather (“Kumbari”), Apocalypse Now dhe me një galeri personazhesh të fortë gjatë një karriere gjashtëdekadëshe në kinematografi, është ndarë nga jeta në moshën 95-vjeçare.

Sipas një njoftimi të shpërndarë nga agjencia e tij e marrëdhënieve me publikun në emër të bashkëshortes, Luciana, ai u shua “në paqe” në banesën e tij në Middleburg, Virxhinia, të dielën.

Në filmin e Francis Ford Coppola-s The Godfather, Duvall interpretoi në mënyrë të paharrueshme Tom Hagen-in, konsilierin dhe këshilltarin kryesor të familjes Corleone, rol që i siguroi nominimin e parë nga shtatë gjithsej për Academy Award për produksionin e vitit 1972. Ai e riktheu këtë personazh dy vite më pas në The Godfather Part II, por nuk mori pjesë në The Godfather Part III për shkak të një mosmarrëveshjeje lidhur me pagesën.

I lindur në San Diego, Kaliforni, djali i një oficeri karriere të marinës, ai ndërtoi një filmografi të larmishme, duke mishëruar figura që varionin nga kaubojsë deri te ushtarakë me grada të larta.

Ai ka luajtur role të spikaturasi: antagonisti përballë John Wayne në True Grit, paraqitje që i solli Wayne-it Oskarin e vetëm; majori Frank Burns në MASH të Robert Altman; si dhe protagonisti në THX 1138, debutimi distopik fantastiko-shkencor i vitit 1971 nga regjisori i ardhshëm i Star Wars, George Lucas, ku ai dhe aktorët e tjerë u shfaqën me koka të rruara.

Një vit më pas erdhi The Godfather, dhe roli i Tom Hagen-it e konsolidoi Duvall-in në një tjetër nivel profesional. Ai vazhdoi të ishte i pranishëm në mënyrë të pandërprerë në ekran, duke interpretuar, ndër të tjera, një drejtues rrjeti televiziv në satirën Network dhe duke kaluar në televizion me miniserialin e suksesshëm Lonesome Dove.

Në vitin 1983 fitoi Oskarin për aktorin më të mirë protagonist për rolin e një këngëtari country në Tender Mercies, ku realizoi vetë interpretimet muzikore.

Ai u nominua gjithashtu për portretizimin e një marinsi në konflikt familjar në The Great Santini dhe për rolin e Kolonelit Kilgore në Apocalypse Now, bashkëpunim i dytë me Coppola-n, ku artikuloi frazën e bërë ikonike: “E dua erën e napalmit në mëngjes.”

Western-et zunë vend të rëndësishëm në krijimtarinë e tij, përfshirë Open Range përkrah Kevin Costner, si dhe miniserialin Broken Trail, që i solli një çmim Emmy.

Ai qëndroi aktiv edhe në dekadën e viteve 2010, duke marrë nominimin e radhës për Oskar në moshën 84-vjeçare për The Judge (2014), si dhe duke u shfaqur në tituj si Jack Reacher dhe Widows.

Në një intervistë me Larry King, ai e përshkroi refuzimin për t’u përfshirë në pjesën e tretë të “Godfather” si “çështje parimore”, duke deklaruar për Bob Costas se Al Pacino do të përfitonte pesëfishin e shumës që i ishte ofruar atij, diçka që e konsideroi të papranueshme.

Gjatë karrierës, Duvall interpretoi edhe figura historike si Robert E. Lee në Gods and Generals, Joseph Stalin në filmin e HBO-së Stalin dhe kriminelin nazist Adolf Eichmann në The Man Who Captured Eichmann.

Duvall ishte i njohur edhe për mbështetjen e kandidatëve republikanë, duke marrë pjesë në inaugurimin e George W. Bush, duke kontribuar në fushatën e Mitt Romney dhe duke rrëfyer një video për Konventën Kombëtare Republikane në vitin 2008.

Në vitin 2004, gjatë administratës Bush, ai u nderua me Medaljen Kombëtare të Arteve, shkruan CNN.