Vendosni fjalën kyçe....

Britania mund të ndalojë rrjetet sociale për të miturit nën 16 vjeç


Britania e Madhe mund të aplikojë që këtë vit një ndalim të ngjashëm me modelin australian për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit nën 16 vjeç, si dhe të adresojë një boshllëk ligjor që ka lënë jashtë rregullimit disa chatbot-e të inteligjencës artificiale.

Këto masa paraqiten si pjesë e përpjekjeve të qeverisë së kryeministrit Keir Starmer për t’iu përgjigjur me ritëm më të shpejtë rreziqeve në mjedisin digjital. Muajin e kaluar, ekzekutivi nisi një proces këshillimi publik mbi ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët dhe tashmë po punon për ndryshime ligjore që do mundësonin hyrjen në fuqi të masave brenda pak muajsh nga përmbyllja e këtij procesi.

Edhe Spanja, Greqia dhe Sllovenia kanë bërë të ditur se po shqyrtojnë kufizime të ngjashme, pas precedentit të vendosur nga Australia, e cila u bë shteti i parë që ndaloi hyrjen në rrjetet sociale për personat nën 16 vjeç.

Megjithëse Online Safety Act 2023 konsiderohet ndër regjimet më të forta rregullatore në nivel global, ai aktualisht nuk përfshin ndërveprimet një-për-një me chatbot-et e inteligjencës artificiale, përveç rasteve kur përmbajtja shpërndahet me përdorues të tjerë.

Ministrja britanike e teknologjisë, Liz Kendall, ka deklaruar se ky boshllëk do mbyllet, duke theksuar se Britania nuk mund të lejojë mangësi të tilla rregullatore, sidomos duke pasur parasysh se aktit aktual iu deshën afro tetë vjet për t’u miratuar dhe zbatuar.

Ajo nënvizoi shqetësimin e saj dhe të kryeministrit për ndikimin e këtyre sistemeve te fëmijët dhe adoleshentët, duke theksuar se disa prej tyre po krijojnë lidhje të ngushta me sisteme të inteligjencës artificiale që nuk janë konceptuar me standarde të posaçme sigurie për të miturit.

Sipas saj, propozimet do paraqiten para muajit qershor dhe kompanitë teknologjike do mbajnë përgjegjësi për përputhshmërinë e produkteve të tyre me legjislacionin britanik.

Ekzekutivi planifikon gjithashtu një këshillim për ndryshime që do mundësonin lëshimin automatik të urdhrave për ruajtjen e të dhënave në rastet kur një fëmijë humb jetën, duke i dhënë hetuesve qasje në prova digjitale thelbësore, një kërkesë e ngritur prej kohësh nga familjet e viktimave.

Në shqyrtim janë edhe kompetenca për të kufizuar “lidhjen me të huaj” në konsolat e lojërave dhe për të ndaluar dërgimin apo marrjen e pamjeve nudo. Këto masa do paraqiten si amendamente në legjislacionin ekzistues mbi krimin dhe mbrojtjen e fëmijëve që aktualisht po shqyrtohet nga parlamenti.

Megjithëse objektivi është forcimi i mbrojtjes së të miturve, masa të tilla mund të kenë implikime për privatësinë e të rriturve dhe qasjen e tyre në shërbime online, çka ka krijuar tensione me Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me kufijtë e lirisë së shprehjes dhe shtrirjen e rregullimit.

Disa platforma të mëdha pornografike tashmë kanë zgjedhur të bllokojnë përdoruesit nga Britania në vend që të zbatojnë verifikime të moshës, por këto kufizime mund të anashkalohen përmes rrjeteve private virtuale (VPN), të cilat qeveria po shqyrton mundësinë t’i kufizojë për të miturit, shkruan Reuters.

Ndërsa shumë prindër dhe organizata të sigurisë mbështesin ndalimin e rrjeteve sociale, Kendall theksoi se disa grupe për mbrojtjen e fëmijëve paralajmërojnë se një masë e tillë mund të zhvendosë aktivitetet e dëmshme në platforma më pak të rregulluara ose të krijojë një prag artificial në moshën 16 vjeç.

Ajo shtoi se mbetet ende për t’u përcaktuar në mënyrë të qartë, në aspektin juridik, se çfarë përkufizohet saktësisht si “rrjet social” përpara se ndalimi të zbatohet.