Vendosni fjalën kyçe....

Polonia kërkon të ketë mbrojtjen e saj bërthamore


Polonia duhet të konsiderojë zhvillimin e armëve të veta bërthamore në dritën e kërcënimit në rritje nga Rusia, deklaroi Presidenti Karol Nawrocki në një intervistë për televizionin Polsat News.

“Jam një mbështetës i madh i bashkimit të Polonisë me një projekt bërthamor,” tha Nawrocki gjatë intervistës, duke shtuar se nuk mund të thotë nëse apo kur Polonia do të fillojë punën me synim zotërimin e armëve të veta bërthamore.

“Ne jemi një vend që ndodhet pikërisht në kufirin e një konflikti të armatosur dhe e dimë se cili është qëndrimi i Federatës Ruse agresive dhe imperiale ndaj Polonisë,” shtoi Nawrocki.

Komentet e Nawrocki-t vijnë pasi Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi në Konferencën e Sigurisë në Mynih se është në bisedime me Francën për një mbrojtje potenciale bërthamore europiane. Merz bëri thirrje për një riorganizim të marrëdhënieve transatlantike mes trazirave të mandatit të dytë të Donald Trump.

Nawrocki tha në intervistën për Polsat News se Polonia duhet të ndjekë rrugën drejt zhvillimit të potencialit të saj bërthamor, duke respektuar të gjitha rregulloret ndërkombëtare. Kur u pyet nëse SHBA-ja do ta lejonte Poloninë të merrte këtë drejtim, duke qenë se Varshava është nënshkruese e Traktatit për Mos-proliferimin e Armëve Bërthamore, Nawrocki u përgjigj: “Nuk e di këtë, por ne duhet të veprojmë në atë drejtim që të mund të fillojmë punën.”

Varshava nënshkroi një traktat me Francën vitin e kaluar, për të cilin Kryeministri Donald Tusk tha se do të hapë rrugën që Polonia potencialisht të ndajë mbrojtjen nga raketa bërthamore franceze, shkruan Bloomberg.

Në shtator, më shumë se 20 dronë kaluan territorin e Polonisë gjatë një sulmi ajror rus mbi Ukrainën fqinje. Varshava shpenzon pothuajse 5% të prodhimit ekonomik për mbrojtjen dhe është gjithashtu përfituesi më i madh i programit të huasë për mbrojtjen “SAFE” të Bashkimit Europian.

Nawrocki tha se është shumë herët që ai të deklarojë nëse do të dekretonte një projektligj që do të thjeshtonte përdorimin e fondeve SAFE në Poloni.