
Një 46-vjeçar është arrestuar nga policia në Mat, pasi qarkullonte me automjet në gjendje të dehur dhe i armatosur me armë zjarri të tipit pushkë.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në vijim të punës për kapjen e personave që qarkullojnë të armatosur pa leje, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Aksi”, bazuar në informacionet e siguruara për një shtetas që lëvizte i dehur dhe i armatosur.
Si rezultat i operacionit, në aksin rrugor “Burrel–Komsi”, u ndalua automjeti tip “Volkswagen” me të cilin udhëtonte 46-vjeçari. Gjatë kontrollit fizik të mjetit, policia gjeti të fshehur dhe sekuestroi një armë zjarri pushkë, në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi me iniciale V.N., 46 vjeç, banues në fshatin Drita, Burrel, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Materialet procedurale i kaluan Prokuroria e Dibrës për veprime të mëtejshme.