Vendosni fjalën kyçe....

Dëshmon 18 vjeçarja e plagosur: Kam gabime në jetë dhe desha të vras veten



Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë mesnatës në hotel “Gjuta”, në zonën e Saukut në Tiranë, ku një 18-vjeçare dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri.

E reja, me inicialet N.M., është e dashura e 22-vjeçarit Erisjaldo Gjuta, i cili është shpallur në kërkim së bashku me Sajmir Gjutën, babanë e tij, dhe Elvir Gjutën, kushëririn e tij. Ky i fundit ka shoqëruar 18-vjeçaren në spital, së bashku me nënën e 22-vjeçarit.

Në pranga janë vënë Mirvete Gjuta dhe xhaxhai i 22-vjeçarit, Vladimir Gjuta. Personat e shpallur në kërkim dhe ata të arrestuar akuzohen për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ndërsa 22-vjeçari akuzohet edhe për “Armëmbajtje pa leje”.

18-vjeçarja ka marrë një plumb në gjoks. Ajo është operuar gjatë natës dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Në dëshminë e saj, pasi është përmendur, e reja ka deklaruar: “Kam gabime në jetë dhe desha të vras veten”, pa dhënë një shpjegim të detajuar mbi rrethanat e ngjarjes.

Paraprakisht, anëtarët e familjes Gjuta, të cilët dyshohet se kanë fshehur ngjarjen, kanë deklaruar se kishin frikë se ngjarja do t’u faturohej atyre, pasi tentativa për vetëvrasje ndodhi në ambientet e biznesit të tyre.