
Një dekorator i Familjes Mbretërore, Christopher John Eadie, i njohur si Chris, i dha fund jetës pas dëshpërimit nga pakësimi i punës dhe një projekt i pasuksesshëm i lyerjes, të cilin Mbreti kërkoi të ribëhej, sipas dëshmive të dëgjuara në një hetim gjyqësor. Ai u gjet i vdekur në kopshtin e shtëpisë së tij në pronën Sandringham, pranë King’s Lynn, nga partnerja e tij Joanne.
Gjykata e Norfolkut dëgjoi se 63-vjeçari, një dekorator i vetëpunësuar, kishte punuar për më shumë se 30 vjet në pronën mbretërore dhe ndiente krenari të jashtëzakonshme për realizimin e projekteve për të ndjerën Mbretëreshë dhe më vonë për Mbretin Charles. Vëllai i tij, Mark Eadie, tha se “perfeksionizmi” i Chris-it, i cili ishte shumë i kualifikuar, e bëri të caktohej shpesh për “punët kryesore” brenda familjes mbretërore, përfshirë lyerjen e dhomës së gjumit të Princit dhe Princeshës së Uellsit, shkuran Edp24.
Por në vitet e fundit, puna në pronën mbretërore u bë më pak e shpeshtë pas ndryshimeve në menaxhim dhe futjes së kontraktorëve të rinj, një gjë që e preku thellësisht Chris-in. Vëllai i tij e përshkroi si një “perfeksionist të talentuar” që jetonte për punën e tij. “Vëllai im ishte absolutisht gjenial në punën e tij,” tha Mark Eadie. “Ai kishte një vëmendje të jashtëzakonshme ndaj detajeve dhe nuk linte asgjë pa e përfunduar në mënyrë perfekte.”
Chris ishte jashtëzakonisht krenar që punonte për Familjen Mbretërore, duke kryer punët me diskrecion brenda rezidencave mbretërore. “Ai ishte besnik dhe nuk fliste për atë që bënte, por e di që ka lyer dhomën e gjumit të William-it dhe Kate-it, madje i ka takuar fëmijët e tyre një herë në kopsht. Ai thoshte se ishin shumë të këndshëm,” shtoi vëllai i tij.
Një projekt i veçantë e la atë të shkatërruar emocionalisht. Chris ishte ngarkuar me lyerjen e një pagode mbi një statujë të Budës në Sandringham, sipas ngjyrave të kërkuara nga Mbreti.
Edhe pse ai mendonte se ngjyrat ishin “paksa të tepruara”, i përmbushi udhëzimet saktësisht. Megjithatë, Mbreti nuk mbeti i kënaqur dhe urdhëroi rilyerjen e saj. Chris përgatiti strukturën për ngjyrat e reja, por puna finale iu dha një kontraktori tjetër. “Pas gjithë asaj përgatitjeje të detajuar, puna iu dha dikujt tjetër,” tha Mark Eadie. “Ai u shkatërrua.”
Partnerja e tij tha se reduktimi i punës pas dekadash besnikërie e kishte mërzitur thellësisht, ndërsa incidenti me pagodën u bë një burim i veçantë ankthi. Gjashtë javë para vdekjes, ajo e kishte gjetur Chris-in ulur në errësirë dhe kishte frikë se mund të dëmtonte veten. Në ditët para se të vdiste, ai u bë jashtëzakonisht i dashur, diçka që partnerja e tij beson se ishte pjesë e lamtumirës së tij.