Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta Prof. Dr. Titi Tamburi, neurologu që la gjurmë në mjekësinë shqiptare



Ka ndërruar jetë profesor doktor Titi Tamburi, një nga emrat e njohur të mjekësisë shqiptare. Ai u nda nga jeta më 12 shkurt 2026, në orën 08:00 të mëngjesit, pas një beteje me problemet shëndetësore.

Titi Tamburi lindi më 2 dhjetor 1944 në Përmet, në një familje atdhetare. U rrit dhe u edukua në Tiranë, ku ushtroi profesionin si mjek neurolog dhe lektor universitar, duke lënë gjurmë të thella në formimin e brezave të rinj të mjekëve.

Puna e tij e palodhur, përkushtimi ndaj pacientëve dhe shpirti fisnik e bënë shpejt një emër të respektuar jo vetëm në Tiranë, por në mbarë Shqipërinë. Ai njihej për gatishmërinë për të ndihmuar këdo që i drejtohej, duke mos i thënë kurrë “jo” atyre që kishin nevojë.

Prof. Tamburi kreu specializime në klinika të njohura ndërkombëtare, nga Franca dhe Zvicra, në Vjenë, Itali e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ishte Shef dhe krijues i Reanimacionit të Parë në Shqipëri për shumë vite, si dhe më pas Konsulent Neurolog i QSUT.

Nga viti 2000 punoi në Kanada me studentë PhD të psikologjisë në Universitetin e Windsor-it, si profesor i kurseve pasuniversitare në Neuropatologji dhe Diagnozë Neurologjike, Neuroanatomi, Neurofiziologji dhe Neurobiokimi. Ndërsa nga viti 2005 deri në fillim të vitit 2025 dha mësim në lëndët Patofiziologji, Anatomi dhe Fiziologji në një fakultet në Michigan, SHBA.

Pavarësisht arritjeve dhe posteve të larta, ai mbeti gjithmonë i thjeshtë, i dashur dhe i përkushtuar ndaj njerëzve.

Prof. Dr. Titi Tamburi lë pas bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij, Jonia, Andia dhe Arti Tamburi. Kujtimi i tij do të mbetet i përjetshëm në familje, në komunitetin mjekësor dhe tek të gjithë ata që patën fatin ta njohin.