
Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, reagoi të enjten ndaj dhunës së shfaqur gjatë protestës së Sali Berishës, duke e konsideruar atë një shenjë të dobësisë së Partisë Demokratike.
“E vetmja dhunë autentike lind nga protestat spontane të popullit. Por kur një parti inskenon dhunë, kjo është e papranueshme dhe tregon impotencë. Dhuna përdoret për të fshehur pafuqinë, mungesën e besueshmërisë dhe popullaritetit,” tha Qori në një intervistë për emisionin Studio Live në Report TV.
Ai kritikoi edhe qasjen e disa partive, si ajo e Agron Shehajt, të cilat sipas tij ndryshojnë qëndrime nga dita në natë ndaj Berishës. Qori përjashtoi mundësinë e një bashkimi me parti të tjera, duke kundërshtuar “telenovelizimin e politikës” dhe theksuar se shpëtimi nuk vjen nga pazaret mes politikanëve. Ai gjithashtu nuk mbështet idenë e një qeverie teknike, siç kërkohet nga Berisha, por favorizon zgjedhje të parakohshme.
“Shpëtimi nuk mund të vijë nga pazaret e politikanëve. Zgjidhja e duhur janë zgjedhjet e parakohshme. Ata që politikën e shohin si Pazar mendojnë vetëm për përfitime personale. Sot, Sali Berisha thotë se më mirë të kem gjysmën e qeverisë dhe të qeverisim bashkë me Edi Ramën për të shërbyer oligarkisë,” shtoi Qori.
Kreu i Lëvizjes Bashkë kritikoi gjithashtu heshtjen e Berishës dhe Partisë Demokratike lidhur me protestën e banorëve të Rrjollit kundër resortit të Bashkim Ulajt në Velipojë.
“Sali Berisha bëhet ‘super diplomat’ kur duhet të flasë për protestën e banorëve të Rrjollit. Ai mund të shtrembërojë çdo situatë, por këtu e kthen buallin në mizë,” tha Qori, duke theksuar qëndrimin e Lëvizjes Bashkë kundër asaj që ai e quajti “oligarki ekonomike.”
Banorët e Rrjollit kundërshtojnë ndërtimin e resortit turistik nga kompania “Gener 2”, duke argumentuar se toka ku planifikohet projekti është pronë e tyre e ligjshme.
Përfaqësues të komunitetit kanë dorëzuar dokumentacionin e pronësisë në Prokurori, si dhe i janë drejtuar Bashkisë Shkodër për sqarime mbi procedurat e ndjekura për dhënien e lejes së ndërtimit, duke kërkuar verifikim institucional dhe transparencë të plotë mbi procesin administrativ.