Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Gjykatat kanë dhënë deri më tani 92 raste në favor të llumit të pastruar nga vetingu



Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar më shumë kohë lidhur me çështjen e pagave të magjistratëve, ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili ka vijuar me kritikat ndaj sistemit të drejtësisë.

Në një reagim publik, Rama deklaron se deri më tani gjykatat kanë dhënë 92 vendime në favor të personave të shkarkuar nga vetingu, duke u akorduar atyre trajtim financiar në vlerë rreth 12 milionë euro nga buxheti i shtetit.

“A e dini se gjykatat kanë dhënë deri më tani 92 raste në favor të llumit të pastruar nga vetingu, duke u dhënë një trajtim financiar prej rreth 12 milionë Eurosh nga buxheti i shtetit – pra duke i trajtuar jo si fajtorë, po si viktima që duhen dëmshpërblyer?!”, shprehet Rama.

Sipas tij, vendimet janë dhënë me urdhër ekzekutimi pa marrë formë të prerë në Gjykatën Administrative të Apelit, duke detyruar Institutin e Sigurimeve Shoqërore që të kryejë pagesat nga fondi i pensioneve.

“Këto vendime gjykatash janë dhënë me urdhër ekzekutimi pa marrë vendimi formë të prerë, duke e detyruar ISSH-në që nga fondi i pensioneve të kryejë pagesat për shkak të vendimit me ekzekutim”, thekson ai.

Kryeministri paralajmëron se shuma prej 12 milionë eurosh mund të rritet, pasi, sipas tij, lista e përfituesve vijon.

“Kjo quhet pavarësi e papërgjegjshme!”, përfundon reagimin e tij Rama.