
Seanca plenare në Kuvend është ndërprerë pas tensioneve mes mazhorancës dhe opozitës, teksa kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bllokuar foltoren.
Gjatë një lidhjeje live në llogarinë e tij në Facebook nga salla e Kuvendit, Berisha u shpreh për deputeten Zegjine Caushi, duke e cilësuar si “kone e Belinda Ballukut”:
“Nuk ia përgjigjem asaj se është konia e Lubisë, ftoj qytetarët t’ia heqin mandatin. Po mbron Lubi Ballukun.
Kurse Ervin Agasi ku është ai, iku ia mbathi…”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, deklaroi se kanë kaluar dy orë nga nisja e seancës dhe ende nuk ka nisur puna me Rendin e Ditës. Ai kërkoi një pushim prej pesë minutash, duke theksuar se nëse PD nuk reflekton, do të kalojë në votim:
“U bënë dy orë nga fillimi i kësaj seance dhe kjo nuk mund të vazhdojë kështu. Shpresoj se ishte lapsur nga ana e PD për mospjesëmarrje në hartimin e deklaratës. PD ka meritë në momente historike të rrugës europiane të Shqipërisë dhe gjatë pavarësimit të Kosovës këtë se mohon askush. Por sot nuk di të ndajë interesin personal nga ai kombëtar. Kërkoj pesë minuta pushim dhe nëse nuk reflektohet do të kërkoj votim”, tha Balla.
Tensionet mes mazhorancës dhe opozitës kanë shoqëruar edhe seanca të tjera plenare kohët e fundit, duke treguar përçarjet e forta politike në Kuvend.