
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, komentoi në News24 protestën e djeshme të opozitës, e cila u shoqërua me tensione dhe përfundoi me deputetin Bledion Nallbati të shtruar në spital.
Vokshi e cilësoi të pajustifikuar dhe të papranueshme dhunën e ushtruar, sipas saj, nga forcat e rendit ndaj përfaqësuesve të zgjedhur. “Nuk kishte asnjë arsye për ta goditur deputetin Nallbati në mënyrë kafshërore. Ai po shpëtonte nga duart e policisë një qytetar që ishte në punë të tij. U godit me mburojë dhe shkop gome, dhe më pas edhe me spraj me piper. E gjithë kjo togë policie duhet të mbajë përgjegjësi ligjore,” deklaroi ajo.
Deputetja theksoi se opozita kishte si qëllim përmbajtjen e situatës dhe shmangien e përshkallëzimit të tensioneve. “Ne kemi qenë në një farë mënyre në mbrojtje të forcave të rendit. Asnjë deputet nuk ka shkaktuar incidente apo konflikte,” u shpreh Vokshi.
Ajo u ndal edhe te situata sociale në vend, duke iu referuar raportit të fundit të Eurostat-it, për të cilin tha se tregon se mbi 40% e qytetarëve janë të përjashtuar nga shërbimet sociale. “Qytetarët nuk arrijnë të ushqejnë fëmijët e tyre me tre vakte në ditë, nuk mund të përballojnë shpenzimet më minimale. Kjo është situata reale që po përballemi,” deklaroi deputetja.
Sipas Vokshit, gjatë protestës pati ndërhyrje të ashpër nga policia edhe ndaj deputetëve të tjerë dhe qytetarëve. Ajo shtoi se edhe vetë është prekur nga situata, duke pretenduar se pantallonat dhe këpucët e saj u përfshinë nga flakët, si pasojë e mjeteve të hedhura nga policia.