
Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën zhvilloi në Kuvend një seancë dëgjimore për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për librin në Republikën e Shqipërisë”.
Projektligji parashikon, ndër të tjera, rregullimin e librit elektronik, nxitjen e leximit duke e cilësuar atë interes publik, mos tjetërsimin e fondeve për librin në bashki, harmonizimin me praktikat evropiane, si dhe mbështetjen e botuesve.
Megjithatë, botuesit e pranishëm ngritën një sërë kritikash, duke theksuar paqartësi dhe mungesë vizioni në draft. Mes shqetësimeve kryesore u përmend mungesa e një regjistri të botuesve, detyrimi për dorëzimin e kopjeve në Bibliotekën Kombëtare, si dhe çështja e kopjeve elektronike.
Kreu i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, u shpreh kundër dorëzimit të detyrueshëm të librit elektronik.
“Dorëzimi i librit elektronik, t’i varësh ujkut mëlçitë në qafë. Nuk e dorëzojmë. Botuesi vë në lëvizje tërë sistemin, ligji nuk njeh botuesin si subjekt”, tha Ymeri.
Kritika të forta pati edhe nga botuesi Bujar Hudhri, i cili ngriti shqetësime për qasjen ndaj librit dhe Bibliotekës Kombëtare, si dhe për ndikimin e TVSH-së në tregun e librit.
“Emri i Institutit Italian të Kulturës më i madh se ai i Bibliotekës Kombëtare. As Italia fashiste s’ka guxuar të vërë zyrat mbi Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Dhe ajo hapësirë t’i jepet librit shqiptar, s’ka ndodh kurrë në botë që Biblioteka Kombëtare të bëjë apel për banane për të futur librat e vet. TVSH-ja e librit nuk sjell para për shtetin, por ka shkatërruar librin shqip se e keni shkatërruar. Bëni ligje sa të doni, e keni shkatërruar”, tha Hudhri.
Ndërsa botuesja Arlinda Dudaj kritikoi kurrikulat shkollore, duke u shprehur:
“Kurrikula shkollore është e mangët. Lista e letërsisë së rekomanduar është ku thërret qameti, me libra që mund t’u shkojnë fëmijëve.”
Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit, deputetja e PD-së Ina Zhupa, theksoi se problematikat janë të shumta dhe se qëllimi i dëgjesës është adresimi i tyre.
“TVSH-në e librit ma kanë përmendur shumë grupe interesi dhe shteti në vend që të japë, merr. Nga ana tjetër, si prind, shoh që çmimi i librit është i lartë kur flasim për 15, 20-25 mijë lekë të vjetra për librin, kur dimë që 45% e popullsisë është e varfër”, u shpreh Zhupa.
Gjatë diskutimeve u propozuan gjithashtu krijimi i një Qendre të Librit dhe Leximit autonome, me buxhete më të mëdha dhe zyra të denja, mekanizma detyrues dhe ndëshkues, një drejtori e dedikuar në ministri për librin, leximin dhe bibliotekat, si dhe rritje e subvencioneve dhe detyrime për pjesëmarrje në panaire.
Përfaqësuesja e Ministrisë bëri të ditur se një pjesë e problematikave janë adresuar, ndërsa buxheti i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit për vitin 2026 është dyfishuar.