
Plani i administratës Trump për të nxitur një brez të ri reaktorësh bërthamorë të vegjël dhe futuristikë, me synimin për të furnizuar epokën e Inteligjencës Artificiale (AI), mbështetet në një zgjidhje të vjetër për një problem tejet të rrezikshëm: varrosjen e mbetjeve radioaktive në thellësi ekstreme të tokës.
Megjithatë, këtu lind pengesa kryesore. Aktualisht nuk ekziston asnjë depo e tillë, ndërkohë që rreth 100,000 ton mbetje bërthamore ruhen përkohësisht në centrale dhe objekte të ndryshme në të gjithë Shtetet e Bashkuara — dhe ky stok vazhdon të rritet. Për të dalë nga kjo situatë, administrata amerikane po ofron atë që kritikët e quajnë një “karrotë radioaktive”: stimuj të mëdhenj ekonomikë në këmbim të pranimit të mbetjeve.
Shteteve u kërkohet të dalin vullnetarë për të pritur një depo gjeologjike të përhershme për karburantin e përdorur, si pjesë e një kompleksi të gjerë industrial që do përfshinte reaktorë të rinj bërthamorë, impiante për ripërpunimin e mbetjeve, pasurimin e uraniumit dhe qendra të dhënash. Ky propozim u publikua javën e kaluar nga Departamenti i Energjisë (DOE).

Kërkesa për informacion (RFI) përfaqëson një kthesë të rëndësishme në politikën energjetike amerikane. Zgjerimi i energjisë bërthamore tani lidhet drejtpërdrejt me nevojën për të gjetur një zgjidhje përfundimtare për mbetjet, duke ia kaluar vendimmarrjen komuniteteve lokale. Bëhet fjalë për projekte që përfshijnë dhjetëra miliarda dollarë investime dhe krijimin e mijëra vendeve të punës, sipas Zyrës së Energjisë Bërthamore të DOE-së.
“Duke i paketuar të gjitha këto së bashku, krijohen stimuj shumë të mëdha pranë një objekti mbetjesh që në vetvete është pak i dëshirueshëm,” shpjegon Lake Barrett, ish-zyrtar i Komisionit Rregullator Bërthamor (NRC) dhe i DOE-së. Sipas tij, disa shtete, përfshirë Utah dhe Tennessee, kanë shprehur tashmë interes për investime në sektorin bërthamor.
Presidenti Trump synon të katërfishojë kapacitetin bërthamor të SHBA-së, duke e çuar në 400 gigavat deri në vitin 2050. Ky objektiv vjen në një kohë kur kërkesa për energji elektrike po rritet për herë të parë pas dekadash, e nxitur nga zgjerimi i qendrave të të dhënave për inteligjencën artificiale dhe nga elektrifikimi i transportit.

Në vitin 2025, DOE përzgjodhi 11 dizajne reaktorësh bërthamorë të avancuar për licencim të përshpejtuar dhe synon që tre prej tyre të ndërtohen si projekte pilot deri më 4 korrik të këtij viti. Megjithatë, mbështetja e publikut për energjinë bërthamore mbetet e lidhur ngushtë me premtimin se mbetjet do të varrosen përgjithmonë thellë nën tokë.
Përpjekjet e mëparshme për të gjetur një zgjidhje të tillë kanë hasur kundërshtim të fortë lokal. Kërkimi i DOE-së për një depo të përhershme nisi në vitin 1983 dhe u fokusua në Yucca Mountain, Nevada, në vitin 1987. Por në vitin 2010, ish-presidenti Barack Obama ndaloi financimin për shkak të rezistencës së ligjvënësve vendas, të shqetësuar për sigurinë dhe ndikimin ekonomik në industrinë e kazinove dhe turizmit — edhe pse deri atëherë ishin shpenzuar rreth 15 miliardë dollarë.
DIZAJNE TË REJA REAKTORËSH
Për të përshpejtuar zgjerimin e energjisë bërthamore, vende si SHBA, Britania e Madhe, Kanadaja, Kina dhe Suedia po investojnë në reaktorët e vegjël modularë (SMR). Avantazhi kryesor i tyre është se mund të ndërtohen paraprakisht në fabrika, duke u montuar më shpejt dhe me kosto më të ulët sesa reaktorët tradicionalë të mëdhenj.
Megjithatë, asnjë nga këto dizajne të reja nuk e zgjidh problemin e mbetjeve. Sipas ekspertëve, projektuesit nuk janë të detyruar të adresojnë këtë çështje që në fazën fillestare, përtej një plani bazë menaxhimi. “Ky nxitim për të krijuar dizajne të reja pa menduar për sistemin në tërësi është një sinjal shqetësues për mbikëqyrjen rregullatore,” thotë Seth Tuler, profesor në Institutin Politeknik Worcester.
Për më tepër, SMR-të mund të vendosen edhe në zona pa infrastrukturë të zhvilluar bërthamore, duke rritur numrin e vendeve që potencialisht do të shndërrohen në depo të përkohshme mbetjesh. Në realitetin amerikan, “e përkohshme” shpesh nënkupton dekada, madje edhe më shumë se një shekull pas mbylljes së një reaktori.

NJË PROBLEM AFATGJATË
Aktualisht, shumica e mbetjeve bërthamore në SHBA, Kanada dhe Evropë ruhen në vend, fillimisht në pishina ftohëse dhe më pas në depozita çeliku dhe betoni. Franca është përjashtim, pasi i dërgon mbetjet në La Hague për ripërpunim.
Mbi 90 reaktorë aktivë në SHBA prodhojnë rreth 2,000 ton mbetje çdo vit. Deri në fund të vitit 2024, taksapaguesit amerikanë kishin paguar 11.1 miliardë dollarë si dëmshpërblim për kompanitë energjetike që ruajnë këto mbetje, disa prej të cilave mbeten të rrezikshme për qindra mijëra vjet.
Finlanda ka shënuar përparimin më të madh, duke iu afruar hapjes së depos së parë të përhershme në Olkiluoto. Pasi të nisë funksionimi, tunelet do mbushen me bombola bakri dhe hekuri dhe do mbyllen përfundimisht, shkruan Reuters.
Suedia filloi ndërtimin e depos së saj në janar 2025, ndërsa Kanadaja, Zvicra dhe Franca synojnë vitin 2050. Britania e Madhe, nga ana tjetër, parashikon fundin e viteve 2050, por ende nuk ka përcaktuar një vend.
Vitin e kaluar, Britania zgjati afatin për pastrimin e zonës bërthamore të Dounreay nga viti 2033 në vitet 2070 – një tregues i qartë i sfidave të mëdha që shoqërojnë mbylljen e centraleve të vjetra bërthamore.
