
Avokati i njohur Kujtim Cakrani, përfaqësues ligjor i ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, është dhunuar ditën e sotme në qytetin e Vlorës.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në një pikë karburanti, ku Cakrani është përfshirë në një konflikt me disa persona. Gjatë përplasjes, ai dyshohet se është goditur në fytyrë me derën e një automjeti, duke pësuar dëmtime fizike.
Burime bëjnë me dije se avokati është transportuar dhe ndodhet aktualisht i shtruar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku po merr ndihmë mjekësore në repartin e kirurgjisë. Gjendja e tij shëndetësore nuk raportohet të jetë kërcënuese për jetën.
Deri më tani, nuk është zbardhur plotësisht dinamika e ngjarjes dhe shkaqet e konfliktit, ndërsa autoritetet po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e personave të përfshirë.
Policia pritet të dalë me një njoftim zyrtar në vijim, ndërkohë që hetimet për këtë incident janë në zhvillim.