Vendosni fjalën kyçe....

Ermal Hasimja rrëfen në Gogo.al strategjinë për bashkimin e opozitës


“Ajo që ka ndodhur kohët e fundit është që partitë kanë organizuar tryeza, kanë ftuar njëra-tjetrën me gjysmë zëri, ndoshta edhe me shpresën që ftesa ndoshta të mos dëgjohet ose të mos vijnë, por kjo nuk ka prodhuar ndonjë gjë të madhe dhe është pak e kuptueshme që partitë e kanë pak të vështirë t’i shkojnë tjetrit në shtëpi.”- kështu u shpreh politologu, Ermal Hasimja i ftuar në podkastin e “Gogo.al”, me gazetaren Valmora Gogo.

 I pyetur për strategjinë e rrëzimit të qeverisë, Hasimja sqaron synimet e “Forumit për Dialog Politik”, ku sipas tij bashkimi i opozitës për largimin e qeverisë, nuk është më një objektiv vetëm i partive, por i popullit shqiptar. Hasimja thotë se nga takimet që ka patur me partitë politike është kuptuar se:

1-Ka nevojë për këtë bashkëpunim

2-Që ky bashkëpunim është i mundshëm eventualisht dhe potencialisht efikas

3- Që është më i mundur pikërisht kur niset nga njerëz që nuk janë pjesë e një partie të caktuar, por përkundrazi, njësoj si ne kanë marrëdhënie shumë të mira me partitë e opozitës dhe kanë aksesin te këto parti.

 

Cilat forca politike janë treguar të gatshme?

Lidhur me pjesëmarrjen, Hasimja shprehet se idea e këtij forumi ka gjetur dakordësi te Partia Demokratike dhe aleatët e saj tradicionalë si: Partia Republikane, PBDNJ-ja, Partia Agrare Ambientaliste, Partia e Lirisë, LZHK-ja, Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt, si edhe ka veçuar Lëvizjen e Diasporës për Shqipërinë e Lirë, me ndikimin që ka përtej kufijve.

Ftesa nuk është pranuar nga Partia Mundësia e drejtuar nga Agron Shehaj dhe Lëvizja Bashkë, e Arlind Qorit.

“Nga pikëpamja e peshës elektorale nuk ngrenë ndonjë gjë të madhe.”-thotë Hasimja, duke sqaruar se nga Lëvizja Bashkë ka patur reagime publike, ku ende pa u shkuar ftesa, kanë refuzuar. “Për fat të keq”-thotë ai duke argumentuar se: “Do ishte mirë që ato objektiva që kanë, t’i shqyrtojnë. Edhe ata duan rrëzimin e qeverisë dhe ata duan zgjedhje të lira dhe të ndershme, po s’duan t’i bëjnë me të tjerët, duan t’i arrijnë vetë”.

Më tej argumenton duke shtruar pyetjen: “Sa kohë duhet që t’i arrijnë vetë ato gjëra? Edhe koha pastaj del shumë, shumë e gjatë. A ia vlen që të presim gjithë ato vite ne, të vazhdojmë me këtë qeverisje, sepse ti ke menduar që t’i realizosh të gjitha vetë? Unë mendoj jo. Unë mendoj që realizohen disa objektiva dhe pastaj ti vazhdo luftën e brendshme dhe konkurrencën në zgjedhje reale, aty mate peshën tënde, por jo për atë që është objektiv dhe që është dhe interes kombëtar në këtë moment. Kemi një emergjencë kombëtare, kështu që me zotin Shehaj situata ka qenë më ndryshe”.

Lidhur me qëndrimin e Arlind Qorit, Hasimja thotë: “Është e kuptueshme edhe për shkak të ideologjisë. Bëhet fjalë për të majtën ekstreme, megjithatë derën e kanë pasur të hapur, pavarësisht ideologjisë së tyre, sepse mua personalisht nuk më bashkon asgjë me ideologjinë, por si unë, si zoti Qori, si Sali Berisha, si Agron Shehaj, kemi të njëjtin objektiv në këtë moment. A mund të bëhemi bashkë për të realizuar këtë objektiv dhe pastaj le të konkurrojnë me njëri-tjetrin?”

Çfarë pritet të sjellë në skenën politike bashkimi i opozitës

Hasimja tregon për hapat që do ndiqen, ndërsa thekson se e rëndësishme është që në tryezë të bihet dakord paraprakisht për disa parime lidhur me Kodin Zgjedhor, kërkesën për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kërkesa për qeveri tranzitore që do garantojë zgjedhjet, mbështetjen e një drejtësie kushtetuese dhe funksionale.

“Një drejtësi që respekton të gjitha të drejtat e njeriut që vetëpërmirësohet vazhdimisht dhe që nga ana tjetër godet pamëshirshëm këdo politikan që na fut duart nëpër xhepa”-shton ai. Faza finale e nismës së tij dhe grupit negociator të “Forumit për Dialog Politik” është thirrja e një organizimi të përbashkët të protestave.

Forca e protestës së “Forumit për Dialog Politik”

“Ajo që është e rëndësishme dhe që ndjehet, nuk shihet me sy, është kur në protestë marrin pjesë edhe njerëz të tjerë jashtë partive politike, kur i gjithë populli opozitar, gjithë opozita e këtij vendi, qytetarët që janë jashtë këtyre partive edhe një pjesë e konsiderueshme e elektoratit gri, kur edhe ata dalin në protestë. Ata kanë të njëjtat arsye për të dalë në protestë. Kur edhe këta dalin në protestë, atëherë gjëja bëhet serioze, dhe atëherë presioni është maksimal.”-thotë ai, duke shtuar se i duket e vështirë që Rama të mos e marrë parasysh këtë lloj presioni.

“Minimalisht protesta shfaq dhe mobilizon qytetarët, i tregon çdo qytetari duke parë majtas e djathtas që ka shokët, fqinjët, familjarët aty që nuk janë dakord dhe natyrisht që kjo i frymëzon dhe i mobilizon edhe më tepër njerëzit, i tregon dhe opinionit publik ndërkombëtar edhe përfaqësuesve të Përfaqësive Diplomatike në Shqipëri që shqiptarët kanë një qëndrim në shumicën e tyre, kundër qeverisjes aktuale. Këto janë efektet që arrihen”-sqaron më tej.

Nëse do ketë përmbysje me dhunë të qeverisë, ai thotë se: “Nuk do përmbyset qeveria me dhunë, nuk është se protestuesit do marrin ca flamuj dhe do ngjiten me litarë e me shkallë nëpër muret e kryeministrisë dhe do ngulin flamurin atje në majë, nuk jemi në atë teori ose fazë të historisë”.

Hasimja ndalet te thelbi organizimeve masive: “Në momentin që në shesh do ndihet që dalin qytetarë përtej partive politike, atëherë gjithçka është vendosur, atëherë nuk ka më gjë tjetër për të diskutuar. Qeverisja mund të vazhdojë, mund të rezistojë, por historia ka marrë fund, thjeshtë do zvarritet”-flet ai për planin që pritet të ndjekë një opozitë e unifikuar sipas qëllimeve të përbashkëta.

 

Më poshtë intervista e plotë në podcastin e Gogo.al