
Autoritetet gjermane kanë kryer bastisje në disa qytete të vendit në kuadër të një hetimi për eksporte të paligjshme drejt Rusisë, në shkelje të sanksioneve të Bashkimit Evropian, bënë të ditur të hënën prokurorët për DW.
Pesë persona u arrestuan në dhe rreth qytetit verior të Lübeckut, pranë Hamburgut, ndërsa kontrolle u zhvilluan edhe në apartamente dhe ambiente të tjera në qytete si Frankfurti dhe Nurembergu. Sipas autoriteteve, vlera e mallrave të eksportuara në mënyrë të paligjshme arrin të paktën 30 milionë euro.
Të dyshuarit akuzohen se kanë ngritur një rrjet kompanish fiktive për të furnizuar industrinë ruse të mbrojtjes që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, duke anashkaluar sanksionet e BE-së. Hetuesit besojnë se pas këtij rrjeti qëndrojnë agjenci shtetërore ruse, ndërsa rreth 24 kompani të mbrojtjes në Rusi kanë përfituar afro 16 mijë dërgesa përmes këtij mekanizmi.
Mes të arrestuarve ka shtetas gjermanë, rusë dhe ukrainas. I dyshuari kryesor është pronari i një biznesi në Lübeck, i identifikuar pjesërisht si Nikita S., shtetas me nënshtetësi gjermano-ruse.
“Së paku që nga fillimi i luftës agresore të Rusisë kundër Ukrainës në shkurt 2022, ai dhe të pandehurit e tjerë kanë përdorur kompaninë në mënyrë të përsëritur për të siguruar fshehurazi mallra për industrinë ruse dhe për t’i eksportuar ato në Rusi,” thanë prokurorët.
Sipas tyre, për të fshehur transaksionet janë përdorur kompani të tjera guackë në Lübeck, klientë fiktivë brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian, si dhe një kompani ruse pritëse, ku Nikita S. mbante gjithashtu një rol drejtues. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi llojin e mallrave të eksportuara ilegalisht.