
Deputeti i Partisë Mundësia Kapri ka denoncuar bllokimin e rrugës Librazhd-Elbasan pas rrëzimit të një masivi shkëmbor e dherash.
Në një mesazh me video në Facebook, Kapri nënvizon se kompania ANK e ish-deputetit të PS-së Ndue Kola, ka marrë 20 milionë euro për zgjerimin e aksit.
Ai shton se për rrugën Elbasan-Qafë Thanë janë shpenzuar 80 milionë euro.
Sipas Kaprit, bllokimi i rrugës nuk është një rast i izoluar duke përmendur rrugën Qukës-Qafë Plloçë, Tunelin e Murrizit dhe atë të Llogarasë.
“Kanë kaluar shtatë orë dhe mijëra qytetarë vijojnë të jenë të bllokuar në aksin Librazhd–Elbasan. Të sëmurët janë detyruar të kalojnë me barrela. Në këtë segment të shkurtër janë dhënë 20 milionë euro kompanisë ANK, në pronësi të ish-deputetit socialist Ndue Kola, për zgjerimin e aksit. Në total, për Elbasan–Qafë Thanë janë shpenzuar 80 milionë euro.
Çfarë ndodhi?
U shemb me shiun e parë. Ky nuk është rast i izoluar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me aksin Qukës–Qafë Plloçë, ku pavarësisht se u shpenzuan 6 milionë euro për kilometër, rruga u shemb. Pikëpyetje serioze ka edhe për tunelin e Llogarasë dhe tunelin e Murrizit. Pas vitit 2013, nuk kemi asnjë kompani perëndimore që të ketë ardhur në Shqipëri dhe të ketë fituar një tender për ndërtimin e rrugëve. Arsyeja është e qartë; qeveria ka ndërtuar kritere të tilla që tenderat t’i fitojnë kompani të afërta me pushtetin, për të ndarë fitimet. Këta nuk kanë interes të ndërtojnë rrugë me standarde apo rrugë të sigurta. Interesi i tyre i vetëm është të përfitojnë sa më shumë para nga tenderat. Dhe kush i vuan pasojat e gjithë këtyre aferave korruptive? Qytetarët, që edhe sot vijojnë të presin të bllokuar për të kaluar rrugën.” – thotë Kapri.