
E ngarkuara me punë e SHBA-së për Venezuelën, Laura Dogu, mbërriti të shtunën në Karakas, në një moment kur Shtetet e Bashkuara dhe Venezuela po përpiqen të rindërtojnë marrëdhëniet diplomatike pas zhvillimeve të fundit politike në vend. Mbërritja e saj shënon rikthimin e pranisë diplomatike amerikane në kryeqytetin venezuelan, pas shtatë vitesh ndërprerje të marrëdhënieve, përcjell DW.
Në një postim në rrjetin social X, Dogu shkroi se kishte mbërritur në Venezuelë dhe se ajo dhe ekipi i saj janë gati për të nisur punën. Ajo njihet si diplomate me përvojë të gjerë në Amerikën Latine dhe flet rrjedhshëm spanjisht. Më herët ka shërbyer si ambasadore e SHBA-së në Honduras dhe Nikaragua, si edhe si zëvendësshefe e misionit diplomatik amerikan në Meksikë.
Ministri i Jashtëm i Venezuelës, Yvan Gil, konfirmoi se e ka pritur Dogun në Karakas, duke deklaruar se ky hap vjen në kuadër të hartimit të një rruge të re bashkëpunimi mes dy vendeve për çështje me interes të përbashkët, si dhe për adresimin e mosmarrëveshjeve ekzistuese përmes dialogut diplomatik, respektit reciprok dhe së drejtës ndërkombëtare.
Rikthimi i diplomates amerikane ndodh shtatë vite pasi ish-presidenti Nicolás Maduro ndërpreu marrëdhëniet me SHBA-në në janar të vitit 2019, pasi Uashingtoni njohu Juan Guaidón si president të përkohshëm të Venezuelës. Në atë kohë, autoritetet venezuelane urdhëruan largimin e stafit diplomatik amerikan nga vendi brenda 72 orëve.
Laura Dogu do të ketë detyrën e rindërtimit të marrëdhënieve diplomatike me qeverinë aktuale venezuelane të drejtuar nga presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez. Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se SHBA synon të rihapë ambasadën në Karakas dhe të rrisë praninë diplomatike në vend.
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se nuk përjashton veprime të mëtejshme ndaj Venezuelës nëse qeveria e Delcy Rodríguez nuk përmbush disa kërkesa, përfshirë hapjen e industrisë së naftës për privatizim. Nga ana e saj, qeveria venezuelane ka ndërmarrë disa hapa, duke miratuar reforma në sektorin shtetëror të naftës dhe duke shpallur një ligj amnistie për të burgosurit politikë.