
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se kryeministri Edi Rama ndodhet në panik për shkak të dosjeve “Balluku” dhe “AKSHI”, të cilat sipas tij përbëjnë prova të rënda kundër kreut të qeverisë.
Në një deklaratë publike, Berisha tha se opozita zgjedh Tiranën si qendër protestash, pasi aty ndodhen, sipas tij, “hajdutët”, duke akuzuar qeverinë për korrupsion masiv, shkatërrim infrastrukture dhe përzënien e qytetarëve nga vendi.
“Ne zgjedhim Tiranën për protestë, se aty janë hajdutët. Rrugë që shpartallohen deri me shirat e para, edhe pse janë inauguruar tani. Kombin shqiptar e nxijnë ata që kanë përzënë nga Shqipëria 1.1 milion qytetarë në hapësirën e Shengenit, ata që bëjnë puç dhe marrin në dorë të gjithë pushtetin”, u shpreh Berisha.
Ai deklaroi se ishte kthyer së fundmi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës në Strasburg dhe pretendoi se Rama është izoluar edhe në arenën ndërkombëtare.
“Në historinë 7-vjeçare të asamblesë, Ramës i janë anuluar dreka dhe darka pune, pasi ka folur sikur të ishte djali i Enver Hoxhës, i Gadafit”, tha Berisha.
Sipas tij, kryeministri po përpiqet me çdo kusht të dalë nga ajo që e quajti “rrethi i kuq”, duke shpenzuar qindra miliona euro.
“Rama është i tmerruar. Po bën gjithçka në botë, po shpenzon qindra milionë që të dalë nga rrethi i kuq. Por nuk del. Nuk shpëton dot nga lidhjet me kartelet e drogës, që janë evidentuar”, deklaroi ai.
Berisha theksoi se dosjet “Balluku” dhe “AKSHI” nuk janë thjesht çështje që lidhen me individë të veçantë, por sipas tij janë drejtpërdrejt të lidhura me kryeministrin.
“Dosja Balluku dhe AKSHI janë gur dhe plumb mbi shpatullat e trupit të Ramës, pasi janë dosja ‘Rama’. Nuk është dosja e Belindës dhe Mirlindës, por e Ramës dhe e Lindës së tij. Ndaj është në panik”, përfundoi kreu i PD-së.