Vendosni fjalën kyçe....

Afrika e Jugut shpall person ‘non grata’ zyrtarin izraelit, tensionet diplomatike rriten


Qeveria e Afrikës së Jugut ka shpallur person “non grata” zyrtarin e ambasadës izraelite në Pretoria, Ariel Seideman, duke i kërkuar të largohet brenda 72 orësh.

Vendimi vjen pas një serie veprimesh të cilat autoritetet jugafrikane i konsideruan si “shkelje serioze të privilegjeve diplomatike” dhe si një sfidë ndaj sovranitetit të vendit, sipas Ynet.

Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Bashkëpunimit të Afrikës së Jugut njoftoi se zyrtarët izraelitë, përfshirë vizitat e diplomatëve të lartë si David Saranga, kanë vepruar pa informuar autoritetet lokale dhe kanë përdorur platformat zyrtare për sulme ndaj Presidentit Cyril Ramaphosa.

Sipas qeverisë jugafrikane, veprimet e izraelitëve përbëjnë shkelje të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe cenojnë besimin dhe procedurat normale në marrëdhëniet bilaterale.

Izraeli konfirmoi se vendimi nuk do të thotë ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike, duke theksuar se ambasada do të vazhdojë të operojë me një konsull dhe një oficer sigurie, ndërsa Afrika e Jugut nuk ka pasur ambasador në Izrael për disa vite.

Tensioni shpërtheu pas vizitave të Saranga-s në provincën Eastern Cape dhe takimeve me Mbretin Xhosa, si dhe artikujve të publikuar nga diplomati izraelit, të cilat u panë si të papërshtatshme nga qeveria jugafrikane. Izraeli po shqyrton tani mënyrën e reagimit ndaj këtij vendimi.