
Një fermer ka ndërhyrë gjatë takimit të kryeministrit Edi Rama në Divjakë, duke ngritur shqetësime për situatën e bujqësisë dhe vështirësitë me të cilat përballen fermerët në vend. Ai theksoi se fermerët janë “shtresa më e pambrojtur”, duke shtuar se ndërhyrja e tij nuk kishte karakter politik, por lidhej me mbijetesën e familjes së tij.
“Nuk po bëj politikë, por kam familje. Disponoj deri në 20 hektarë tokë dhe jemi në hall”, u shpreh fermeri gjatë diskutimit, duke theksuar se të ardhurat nga bujqësia nuk mjaftojnë për të siguruar jetesën.
Ndërhyrja e tij solli reagimin e kryeministrit Rama, i cili i kërkoi të respektonte radhën dhe rregullat e takimit. “Mua njeri nuk më imponohet me forcë. Ka radhë dhe edukatë, fjala nuk merret me zor”, tha Rama, duke shtuar se nuk ishte e mundur që të fliste kushdo në të njëjtën kohë.
Debati vijoi edhe për çështjen e tregut dhe produkteve bujqësore, ku kryeministri theksoi se “nuk ekziston në një ekonomi të hapur mbyllja e kufijve të produkteve sa herë që do dikush”, duke iu përgjigjur pretendimeve të fermerit për mbrojtjen e prodhimit vendas.
Fermeri, nga ana e tij, këmbënguli se problematikat reale nuk mund të zgjidhen vetëm me fjalë. “Familja nuk mbahet me fjalë”, tha ai, duke kërkuar zgjidhje konkrete për sektorin e bujqësisë.