Vendosni fjalën kyçe....

Trump vendos tarifa shtesë ndaj vendeve që furnizojnë Kubën me naftë



Presidenti amerikan Donald Trump ka firmosur të enjten një urdhër ekzekutiv që parashikon vendosjen e tarifave shtesë ndaj mallrave që vijnë nga vendet të cilat shesin ose furnizojnë Kubën me naftë, përcjell DW.

Urdhri bazohet në Aktin për Fuqitë Ekonomike Ndërkombëtare në Rast Emergjence dhe e cilëson qeverinë kubane si një “kërcënim të jashtëzakonshëm” për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Vendimi është dënuar ashpër nga Kuba. Ministri i Jashtëm kuban, Bruno Rodriguez, e quajti urdhrin e Trump një “akt brutal agresioni”, duke paralajmëruar se masa të tilla do ta përkeqësojnë më tej krizën energjetike në vend.

“Ky është një agresion brutal ndaj Kubës dhe popullit të saj, i cili prej më shumë se 65 vitesh po përballet me bllokadën ekonomike më të gjatë dhe më mizore të vendosur ndonjëherë ndaj një kombi të tërë,” shkroi Rodriguez në rrjetet sociale.

Kuba po përballet prej vitesh me mungesa të rënda të karburantit, të cilat kanë dëmtuar ndjeshëm rrjetin energjetik dhe kanë shkaktuar ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike në mbarë vendin.

Ekonomia kubane ka qenë e varur kryesisht nga furnizimet me naftë nga aleatë si Venezuela, Meksika dhe Rusia. Megjithatë, furnizimet nga Venezuela janë ndërprerë pas një sulmi ushtarak të SHBA-së më herët gjatë këtij muaji, ku u rrëmbye presidenti Nicolas Maduro.

Trump ka deklaruar se “asnjë pikë nafte venezueliane nuk do të shkojë më drejt Kubës”, duke shtuar se qeveria kubane ndodhet pranë kolapsit.

Urdhri i ri pritet të rrisë presionin mbi Meksikën, një nga vendet e pakta që vazhdon të furnizojë Kubën me energji. Sipas raportit më të fundit të kompanisë shtetërore meksikane të naftës, Pemex, nga janari deri më 30 shtator 2025 janë dërguar drejt Kubës rreth 20 mijë fuçi naftë në ditë.

Megjithatë, ekspertët që ndjekin tregtinë e naftës vlerësojnë se kjo shifër ka rënë ndjeshëm, në rreth 7 mijë fuçi në ditë.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka shmangur qëndrimet e qarta lidhur me këtë çështje. Ajo ka mohuar raportimet se Meksika ka ndalur furnizimet me naftë për Havanën dhe ka deklaruar se vendi i saj do të vazhdojë të tregojë solidaritet me Kubën, pa sqaruar se në çfarë forme do të materializohet ky mbështetje.

Kuba ndodhet nën embargo amerikane që prej vitit 1962, një nga masat më të gjata ekonomike të vendosura ndonjëherë nga SHBA-ja ndaj një vendi tjetër.