
Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka mbërritur në Pekin për një vizitë treditore, duke shënuar kështu vizitën e parë të një lideri të Mbretërisë së Bashkuar në Kinë pas gati tetë vitesh, përcjell DW.
I shoqëruar nga një delegacion i gjerë biznesi, Starmer synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike me ekonominë e dytë më të madhe në botë, në një kohë kur marrëdhëniet globale janë tensionuar pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Starmer u shpreh para gazetarëve se, ndonëse Britania duhet të mbetet vigjilente për sigurinë kombëtare, nuk mund të injorojë rëndësinë tregtare të Kinës.
Gjatë takimit në Sallën e Madhe të Popullit, Presidenti kinez Xi Jinping i bëri thirrje Starmerit për një partneritet strategjik afatgjatë dhe konsistent. Xi pranoi se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë kaluar përmes “ulje-ngritjeve” që nuk i kanë shërbyer interesave të asnjëre palë, por theksoi se si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, të dy kombet duhet të bashkëpunojnë për stabilitetin global dhe ndryshimet klimatike. Starmer, nga ana e tij, u vetëcilësua si një “pragmatist” që po zbaton sensin e shëndoshë në politikën e jashtme britanike.
Kjo vizitë e Britanisë vjen në një valë diplomacie ku Pekini po mirëpret liderë të shumtë ndërkombëtarë, përfshirë delegacionet nga Franca dhe Kanadaja, ndërsa në fund të shkurtit pritet edhe vizita e Kancelarit gjerman Friedrich Merz.
Ky aktivizim i Kinës shihet si një përpjekje për të afruar aleatët tradicionalë të SHBA-së në një kohë pasigurie tregtare, veçanërisht pas kërcënimeve të fundit të Trump për tarifa të larta ndaj vendeve si Kanadaja.
Pavarësisht frymës së bashkëpunimit, vizita e Starmerit nuk kalon pa pika fërkimi. Kritikat në Londër janë rritur për shkak të planeve për ndërtimin e një ambasade masive kineze, si dhe për shtypjen e lirive në Hong Kong.