Vendosni fjalën kyçe....

Rubio mbron rritjen e pranisë ushtarake në Lindjen e Mesme mes paralajmërimeve të Trump-it ndaj Iranit


Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se rritja e pranisë ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme synon të mbrojë personelin amerikan dhe aleatët nga një kërcënim i mundshëm iranian, duke e cilësuar këtë qasje si të mençur dhe të domosdoshme.

Duke dëshmuar të mërkurën në Kongres, Rubio tha se vendosja e forcave shtesë është menduar për të garantuar aftësinë e SHBA-së për të reaguar dhe, nëse është e nevojshme, për të parandaluar paraprakisht sulme të mundshme ndaj mijëra ushtarakëve amerikanë dhe objekteve ushtarake në rajon, përcjell AP.

“Mendoj se është e mençur dhe e kujdesshme të kemi një pozicion forcash në rajon që mund të përgjigjet dhe, nëse është e nevojshme, të parandalojë paraprakisht një sulm ndaj mijëra ushtarakëve amerikanë, objekteve tona dhe aleatëve tanë,” u shpreh Rubio.

Deklaratat e tij vijnë në një ditë kur presidenti amerikan, Donald Trump, i kërkoi Iranit të heqë dorë nga planet për zhvillimin e armëve bërthamore, duke kërcënuar me një sulm “shumë më të ashpër” se goditjet e vitit të kaluar ndaj objekteve bërthamore iraniane.

Trump shkroi në rrjetin e tij social se një grup goditës detar i Marinës amerikane, i udhëhequr nga aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln, është “gati, i gatshëm dhe i aftë të përmbushë shpejt misionin e tij, me shpejtësi dhe forcë, nëse është e nevojshme”.

Ndërkohë, Rubio shprehu një qasje më të kujdesshme lidhur me perspektivën e ndryshimit të regjimit në Iran, duke thënë se një skenar i tillë do të ishte “shumë më kompleks” sesa në Venezuelë, për shkak të faktit se bëhet fjalë për një regjim që ka qenë në pushtet prej një kohe shumë të gjatë.

Situata në Iran mbetet e paqëndrueshme për shkak të protestave mbarëkombëtare dhe rritjes së pranisë ushtarake amerikane në rajon.

Rubio e përshkroi këtë prani si masë mbrojtëse, ndërsa Trump ka paralajmëruar edhe më herët për veprime ushtarake nëse protestuesit paqësorë vriten ose nëse ka ekzekutime masive të të ndaluarve.

Në një reagim ndaj kërcënimeve të fundit të Trump, Misioni i Iranit në OKB deklaroi se Teherani është i gatshëm për dialog mbi bazën e respektit dhe interesave të ndërsjella, por paralajmëroi se nëse sulmohet, Irani do të mbrohet dhe do të përgjigjet “si kurrë më parë”.

Në një front tjetër, Rubio përsëriti se qëllimi përfundimtar i SHBA-së në Venezuelë është rivendosja e demokracisë dhe mbajtja e zgjedhjeve legjitime, duke theksuar se pas kapjes së ish-presidentit Nicolás Maduro janë shënuar përparime dhe se venezuelianët po shohin për herë të parë pas më shumë se një dekade një “fije shprese” për të ardhmen.