Vendosni fjalën kyçe....

Google do paguajë 68 milionë dollarë për “përgjim” përmes asistentit zanor, media


Gjiganti amerikan i teknologjisë, Google, ka arritur një marrëveshje paraprake për të paguar 68 milionë dollarë me qëllim zgjidhjen e një padie, sipas së cilës asistenti i tij zanor ka përgjuar përdoruesit e smartfonëve. Lajmi u raportua të hënën nga Reuters, duke iu referuar dokumenteve gjyqësore.

Sipas vlerësimeve paraprake të publikuara nga The Verge, klientët që kanë blerë një pajisje Google mund të përfitojnë një dëmshpërblim që varion nga 18 deri në 56 dollarë. Ndërkohë, personat që kanë përdorur Google Assistant ose kanë jetuar në një ambient ku ndodhej një pajisje që dyshohet se ka regjistruar biseda, mund të marrin nga 2 deri në 10 dollarë.

Përdoruesit e smartfonëve pretendojnë se Google, pjesë e kompanisë mëmë Alphabet, ka regjistruar në mënyrë të paligjshme biseda private përmes Google Assistant dhe i ka shfrytëzuar ato për reklama të synuara.

Këto pretendime përfshihen në një marrëveshje paraprake të një padie kolektive, e dorëzuar të premten në gjykatën federale të San Jose, në Kaliforni, dhe e shqyrtuar nga Reuters. Marrëveshja pritet të marrë miratimin e gjyqtares së qarkut të SHBA-së, Beth Labson Freeman.

Asistenti zanor është projektuar për t’u aktivizuar kur përdoruesit shqiptojnë të ashtuquajturat “fjalë kyçe” (hot words), si “Hey Google” ose “Okay Google”, njësoj si Siri e Apple dhe Alexa e Amazon. Paditësit kundërshtuan marrjen e reklamave në rastet kur Google Assistant e identifikonte gabimisht fjalimin e tyre si fjalë kyçe, një fenomen i njohur si “pranime të rreme” (false accepts).

Marrëveshja thuhet se zbatohet për përdoruesit që kanë blerë pajisje Google ose që janë përballur me “pranime të rreme” që prej datës 18 maj 2016.

Rasti thekson tensionin e vazhdueshëm mes zhvillimit të teknologjive të reja dhe mbrojtjes së privatësisë së përdoruesve. Në nëntor 2025, Google u përball me një padi lidhur me asistentin e tij të inteligjencës artificiale,

Gemini, i cili dyshohet se ka ndërhyrë në komunikime private përmes Gmail-it, bisedave (chat) dhe shërbimeve të videokonferencave. Po ashtu, në shtator, kompania pranoi të paguante 425.7 milionë dollarë për të zgjidhur një padi kolektive që lidhej me shkelje të privatësisë, shkruan Rt.

Në dhjetor të vitit 2024, Apple pagoi 95 milionë dollarë dëmshpërblim për pretendimet se asistenti zanor Siri kishte regjistruar biseda private pa pëlqimin e përdoruesve.

Ndërkohë, Amazon është përballur me një padi kolektive mbarëkombëtare për shkelje të dyshuara të privatësisë nga asistenti zanor Alexa, ku një gjyqtar federal lejoi vazhdimin e pretendimeve se pajisjet regjistronin dhe ruanin biseda private pa pëlqim të qartë, në kundërshtim me ligjet për mbrojtjen e konsumatorit.