Vendosni fjalën kyçe....

Protesta e kamionistëve në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut bllokon qarkullimin e mjeteve të tonazhit të rëndë



26 janari është shënuar si dita e nisjes së protestave të kamionistëve në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, protesta që pritet të sjellin bllokim të qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë në pikat kufitare me këto dy shtete.

Autoritetet malazeze kanë njoftuar se protesta e organizuar nga Shoqata e Kamionistëve do të nisë në orën 11:30 dhe do të zgjasë rreth 48 orë. Gjatë kësaj periudhe, qarkullimi i kamionëve do të ndalohet për arsye sigurie.

Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut, hyrja e mjeteve të transportit të mallrave është bllokuar që nga ora 00:01 e ditës së hënë, ndërsa nga ora 12:00 do të bllokohet edhe dalja e tyre nga territori i këtij shteti. Protesta në Maqedoninë e Veriut pritet të zgjasë rreth shtatë ditë. Nga kufizimi përjashtohen mjetet që transportojnë bagëti dhe barna.

Në pikat kufitare me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut do të lejohen të qarkullojnë automjetet e vogla, mjetet e emergjencës dhe mjetet e transportit të pasagjerëve.

Autoritetet u bëjnë thirrje subjekteve të transportit dhe qytetarëve që të informohen në kohë dhe të marrin masat e nevojshme për të shmangur vonesat dhe problematikat gjatë kësaj periudhe.